Kina kundër aplikacionit që e tregon vendndodhjen e policisë

08:34 | 9 Tetor 2019
Arbresh Info

Mediet shtetërore kineze e kanë akuzuar kompaninë amerikane “Apple” për përkrahje dhe mbrojtje të protestuesve në protestat gjithnjë e më të dhunshme të Hong Kongut përmes mundësimit të një aplikacioni që e tregon lëvizjen e forcave policore nëpër qytet.

Reagimi nga gazeta e Partisë Komuniste duket se është veprimi më i ri për t’iu bërë presion kompanive të huaja që të bashkohen me qëndrimet e televizionit shtetëror dhe kompanive kineze, të cilat e anuluan bashkëpunimin me Federatën e Basketbollit të Shteteve të Bashkuara për shkak të komenteve përkrahëse të një zyrtari ndaj protestave në Hong Kong.

Aplikacioni i quajtur “HKmap.live”, i cili e tregon vendndodhjen e policisë dhe të protestuesve, u miratua nga gjiganti teknologjik të premten e kaluar dhe doli në “App Store” një ditë më vonë. Aplikacioni i tregon pikat kryesore të vendndodhjes së forcave të sigurisë në hartën e qytetit. Kjo hartë përditësohet vazhdimisht dhe përdoruesit e aplikacionit kanë mundësi që t’i raportojnë incidentet dhe në këtë mënyrë protestuesit mund t’i shmangen policisë.

Raportohet se ky aplikacion është bërë tashmë aplikacioni më i shkarkuar në kategorinë e aplikacioneve për udhëtime në “App Store”-n e kushtuar për Hong Kongun.

Kompania “Apple” është në vargun e firmave të huaja që kanë hyrë të telashe me Kinën rreth protestave kundër qeverisë në Hong Kong, të cilat kanë hyrë në javën e tetëmbëdhjetë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme