Kina e krijon vaksinën e saj me teknologjinë mRNA kundër koronavirusit

16:33 | 22 Mars 2023
E.H

Kina e ka miratuar vaksinën e saj të parë kundër koronavirusit, e cila e lufton virusin përmes teknologjisë mRNA.

Rregullatorët për ilaçe ia kanë dhënë dritën jeshile kësaj vaksine, për përdorim emergjent, ka thënë grupi farmaceutik CSPC, që e ka krijuar vaksinën.

Laboratorët e Kinës kanë tentuar me vite që të krijojnë një vaksinë mRNA, pasi autoritetet shtetërore kanë refuzuar që të përdorin vaksina të tilla që janë krijuar nga kompanitë perëndimore.

Studimet kanë treguar se vaksinat kineze kanë qenë më pak efektive në luftim të koronavirusit, në krahasim me vaksinat mRNA.

Mungesa e një vaksine të tillë në tregun kinez, e ka nxitur fuqizimin e politikës për zero raste me koronavirus, e cila ka përfshirë masa të ashpra izolimi, deri në fund të vitit të kaluar.

Deri më tani, Kina i ka përdorur vetëm vaksinat e prodhuara vetë kundër këtij virusi nga kompanitë CoronaVac dhe Sinopharm.

Të dyja kompanitë i kanë përdorur disa pjesë joaktive të koronavirusit, në mënyrë që kur trupi i njeriut t’iu ekspozohet atyre, të mund të prodhojë antitrupa.

Teknologjia mRNA është përdorur për herë të parë në vaksinat kundër koronavirusit.

Në vaksina gjendet një molekulë e kodit gjenetik të virusit – RNA – e cila nxit përgjigje imunitare.

Ajo e trajnon organizmin që të luftojë virusin e vërtetë kur të ketë kontakt me të.

Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme