Google ADS

Kina dhe Rusia kërkojnë heqjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

10:21 | 3 Nëntor 2021
A. B.

Kina dhe Rusia përmes një projekt-rezolute po kërkojnë që Këshilli i Sigurimit të lehtësojë sanksionet kundër Koresë së Veriut, me qëllim të përmirësimit të jetesës së popullatës. Projekt-rezoluta bën thirrje për heqjen e sanksioneve për eksportet e ushqimeve të detit dhe tekstilit dhe mbi importet e produkteve të naftës të rafinuar.

Detajet e draftit të rezolutës janë raportuar nga AP dhe Reuters.

Edhe në vitin 2019 Kina dhe Rusia patën qarkulluar një projektrezolutë të ngjashme mirëpo ajo ishte hedhur poshtë nga vendet perëndimore dhe nuk doli kurrë në votim. Diplomatët që folën në kushte anonimiteti treguan se rezoluta e fundit mbase do të përballet me një kundërshtim të ngjashëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të sanksioneve të OKB-së nga Koreja e Veriut.

Ata thanë se Kina dhe Rusia nuk kanë planifikuar ende ndonjë bisedë mbi draftin. Misioni i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara tha se administrata e presidentin amerikan, Joe Biden “mbetet e përkushtuar ndaj regjimit të sanksioneve” dhe tha se anëtarët e OKB-së duhet të fokusohen në sanksionet tashmë të vendosura.

“Koreja e Veriut nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të përmbushur kërkesat e Këshillit të Sigurimit në lidhje me programet e saj të ndaluara bërthamore dhe raketore balistike”, tha një zëdhënës i misionit të OKB-së.

Projekt-rezoluta Kinë-Rusi nuk përmend testet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut.

Koreja e Veriut, e cila ka vuajtur prej kohësh nga pasiguria ushqimore, po përjeton rritje të çmimeve dhe mungesë të ilaçeve dhe furnizimeve të tjera thelbësore. Vendi ka thënë se nuk ka pasur asnjë rast të COVID-19, por ekspertët e kanë vënë në dyshim pretendimin.

Ndërkohë në periudhën e fundit ka bërë disa testime të raketave balistike. /arbresh.info/

Të ngjashme