Udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Veriut janë zotuar që të thellojnë bashkëpunimin dypalësh, teksa më 6 tetor këto dy shtete kanë shënuar 75-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike, raportoi media shtetërore e lajmeve verikoreane.
“Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të raporteve mes Kinës dhe Koresë së Veriut”, tha presidenti kinez, Xi Jinping, në mesazhin dërguar liderit verikorean, Kim Jong Un.
Xi tha se Kina është e gatshme “të shkruajë një kapitull të ri” në raportet mes dy vendeve, duke forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin.
Kina është partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut. Të dyja shtetet kanë një histori të bashkëpunimit që daton nga mbështetja që Pekini i kishte dhënë Phenianit gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953, që rezultoi me krijimin e Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.
Por, Kina reagoi me kujdes në qershor, kur Kim thelloi raportet me presidentin rus, Vladimir Putin. Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë nënshkruar një traktat strategjik, që përfshin edhe elemente të mbrojtjes së përbashkët.
Ndërkaq, në mesazhin e tij dërguar Xisë, Kim u zotua për “konsolidimin dhe zhvillimin e raporteve miqësore dhe bashkëpunuese mes dy shteteve, ashtu siç kërkohet nga epoka e re”.
Koreja e Veriut pritet që të ndryshojë Kushtetutën e saj për të hequr dorë nga qëllimi i kamotshëm për bashkim paqësor me Jugun dhe për të ripërcaktuar kufijtë me Korenë e Jugut. Kjo lëvizje, sipas ekspertëve, mund të përshkallëzojë tensionet në Gadishullin Korean. Për këto ndryshime, Parlamenti i Koresë së Veriut do të mblidhet të hënën, më 7 tetor.
Në janar, lideri verikorean kërkoi ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që Koreja e Jugut të shihet si “armiku kryesor”, duke shtuar se Koreja e Veriut duhet të planifikojë “pushtim dhe rimarrje” të Koresë së Jugut në rast të një lufte.
Ka shqetësime se Koreja e Veriut mund të kërkojë bashkimin me forcë, përfshirë edhe përmes përdorimit të armëve bërthamore.
Kim ka kërcënuar disa herë se nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore nëse sulmohet nga Koreja e Jugut dhe aleati i saj, Shtetet e Bashkuara./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...