Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un është zotuar se do “t’ia mbajë dorën” presidentit rus Vladimir Putin dhe do të forcojë bashkëpunimin strategjik për qëllimin e tyre të përbashkët për ndërtimin e një vendi të fuqishëm, raportoi të hënën media shtetërore KCNA.
Kim e bëri këtë premtim në një mesazh drejtuar Putinit në shënimin e Ditës Kombëtare të Rusisë, duke mbrojtur dhe përkrahur vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe duke shfaqur “mbështetje dhe solidaritet të plotë”.
“Drejtësia është e sigurt se do të fitojë dhe populli rus do të vazhdojë t’i shtojë lavdi historisë së fitores”, tha Kim në mesazhin e tij.
Kim bëri thirrje për “bashkëpunim më të ngushtë strategjik” me Moskën, “në përputhje me dëshirën e përbashkët të popujve të dy vendeve për të përmbushur qëllimin e madh për ndërtimin e një vendi të fuqishëm”, shtoi ai.
Koreja e Veriut ka kërkuar të krijojë lidhje më të ngushta me Kremlinin dhe ka mbështetur Moskën pasi pushtoi Ukrainën vitin e kaluar, duke fajësuar “politikën hegjemoniste të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit”.
Muajt e fundit, shtete si Japonia kanë shprehur shqetësimin e tij për bashkëpunimin ushtarak rus, kinez dhe koreano-verior në Azi, duke theksuar se situata e sigurisë së Evropës nuk mund të shkëputet nga ajo në rajonin Indo-Paqësor pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia do t’i ofrojë Koresë së Veriut ushqim në këmbim të armëve.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se një marrëveshje potenciale e armëve, në mes të Koresë Veriore dhe Rusisë, do të përbënte shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar më parë Korenë Veriore për furnizim të Rusisë me armë në Ukrainë, por edhe të mercenarëve të grupit rus Wagner.
Në muajin shkurt, ekspertët kanë paralajmëruar që ky shtet, i cili ka një prej regjimeve më autoritare në botë, është duke u përballur me krizë ushqimore për shkak të rënies së madhe të prodhimit – kryesisht për shkak të kushteve klimatike, kontrolleve strikte kufitare, dhe ndikimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Imazhet satelitore nga autoritetet jugkoreane tregojnë se verikoreanët kanë prodhuar 180.000 tonë ushqim më pak më 2022, në krahasim me vitin 2021./REL
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua