Google ADS

Kili, protestat e dhunshme shkaktojnë anulimin e konferencave ndërkombëtare

06:26 | 31 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti kilian Sebastian Pinera njoftoi se vendi i tij tërhiqet nga organizimi i samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë-Paqësorit (APEC) dhe Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP25) për shkak të përshkallëzimit të dhunës në protestat antiqeveritare që kanë përfshirë vendin.

“E themi këtë me keqardhje të madhe, sepse kjo është një gjendje pikëlluese për Kilin. Qeveria jonë vendosi të mos jetë organizatore e samiteve të APEC dhe COP25”, tha Pinera në një konferencë për media në pallatin presidencial La Moneda në kryeqytetin Santiago.

Pinera tha se vendimi është marrë për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën gjendet vendi, duke shtuar se prioritet themelor i qeverisë është rendi publik, siguria e qytetarëve dhe arritja e paqes sociale.

Nga ana tjetër, Pinera paralajmëroi se do të zgjerojë paketën ekonomike të funksionalizuar më herët dhe se do të fillojë një proces të dialogut për të dëgjuar qytetarët.

Samiti i COP25 do të organizohej në dhjetor në Kili në kuadër të samitit të APEC.

Të paktën 20 njerëz kanë humbur jetën në protestat e dhunshme në Kili, në të cilat kërkohet dorëheqja e gjithë kabinetit të Pineras për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Të martën, Ministria e Drejtësisë e vendit tha se gjithsej 1.218 njerëz, përfshirë 745 pjesëtarë të sigurisë, janë plagosur që nga fillimi i demonstratave të gjera më 6 tetor.

Qeveria kiliane ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, e cila tani mbulon gjithë rajonin metropolitan rreth kryeqytetit Santiago dhe rajone të tjera në vend.

Ajo po ashtu ka sjellë orë policore në shumë qytete, të cilat zbatohen nga forcat e sigurisë.

Aeroporti Ndërkombëtar Arturo Merino Benitez në Santiago aktualisht po përjeton vonesa të shumta dhe anulime fluturimesh që pritet të dëmtojnë industrinë turistike të vendit i cili ka pritur më shumë se gjashtë milionë turistë në vitin 2017.//AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme