Google ADS

Kievi sulmon me dron një depo nafte në Rusi

21:09 | 19 Janar 2024
KRG

Një dron ukrainas goditi një depo nafte në pjesën perëndimore të Rusisë të premten, duke shkaktuar një zjarr masiv. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarët rusë. Ngjarja vjen ndërsa forcat ukrainase duket se po i shtrijnë sulmet e tyre brenda territorit rus ndërsa po afrohet përvjetori i dytë i luftës.

Si pasojë e sulmit katër rezervuarë nafte, me një kapacitet prej 6,000 metra kub u dogjën, tha guvernatori lokal dhe Agjencia Shtetërore e Lajmeve ‘Tass’. Depoja ndodhet në Klintsy, një qytet me rreth 70,000 banorë, rreth 60 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Sulmi duket të jetë pjesë e përpjekjeve të intensifikuara së fundmi nga Kievi me synimin për të nxitur nervozizëm tek zyrtarët rusë dhe për t’iu kundërvënë pretendimit të Presidentit Vladimir Putin se jeta në Rusi, po vazhdon normalisht, përpara zgjedhjeve presidenciale të 17 marsit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është zotuar të godasë më shumë objektiva brenda rajoneve kufitare ruse këtë vit. Mbrojtja ajrore ruse është përqendruar në rajonet e pushtuara të Ukrainës, thonë zyrtarët në Kiev, duke i lënë objektivat më të largët brenda Rusisë më të pambrojtur, kryesisht ndaj dronëve me rreze më të gjatë veprimi që po përdorin forcat ukrainase.

Qyteti rus i Belgorodit, që ndodhet gjithashtu pranë kufirit me Ukrainën, anuloi një festë tradicionale ortodokse të rëndësishme të premten, për shkak të kërcënimeve për sulmet me dronë ukrainas. Kjo shënoi dhe herën e parë të anulimit të një ngjarjeje të madhe publike në Rusi për shkak të rrezikut të dronëve.

Duke cituar një zyrtar të Shërbimit Informativ të Ukrainës, mediat kombëtare bënë të ditur të premten se dronët ukrainas sulmuan gjithashtu një fabrikë baruti në Tambov, rreth 600 kilometra në jug të Moskës.

Por gazeta ruse RBC, duke iu referuar guvernatorit të Tambovit, Maxim Yegorov, bëri të ditur se fabrika po punonte normalisht. Faqja britanike e lajmeve “The Mash News” njoftoi më herët se një dron ukrainas kishte rënë në ambientet e uzinës të enjten, por se nuk shkaktoi dëme.

Po kështu Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se një dron ukrainas ishte rrëzuar në periferi të Shën Petersburgut të enjten.

Mbetjet e dronit ranë në ambientet e nje depoje nafte në Shën Petersburg, në skajin jugor të qytetit, sipas Vladimir Rogovit, i cili është përgjegjës për koordinimin e rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia. Mikhail Skigin, bashkëpronar i depos, konfirmoi se droni kishte në shënjestër depon.

Shën Petersburgu, qyteti i dytë më i madh i Rusisë ndodhet 900 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.

Në Klintsy, mbrojtja ajrore arriti ta bllokojë elektronikisht dronin, por pasi ai hodhi ngarkesën e tij shpërthyese në objekt, tha guvernatori rajonal i Bryanskut, Alexander Bogomaz, duke shtuar se incidenti nuk shkaktoi viktima.

Në kanalet ruse në Telegram u shpërndanë video të asaj që zyrtarët thanë se ishte zjarri në depo. Pamjet tregonin shtëllunga të mëdha e të zeza tymi në ajër.

Zoti Bogomaz tha se 32 persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre pranë depos dhe se autoritetet hasën në vështirësi për ta shuar atë.

E njëjta depo u godit nga një dron ukrainas në maj të vitit të kaluar, por dëmi në atë kohë nuk dukej të ishte aq thelbësor.

Ndërkohë, si pasojë e sulmeve ruse në rajonin verilindor të Ukrainës në Kharkiv, u vra një grua 57-vjeçare. Po në të njëjtin rajon, një person u vra nga një minë tokësore, njoftoi të premten zyra e presidentit ukrainas./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme