Google ADS

Kievi heton “ekzekutimin më masiv” të ushtarëve të kapur nga Rusia

13:56 | 2 Tetor 2024
E.G

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se ka nisur një hetim për “ekzekutimin më masiv” të të burgosurve ukrainas të luftës, të kapur nga Rusia.

Sipas një deklarate zyrtare të publikuar në kanalin e Prokurorisë në Telegram, forcat ruse dyshohet se vranë 16 “të burgosur të luftës” ukrainas, pranë fshatrave Mikollajivka dhe Suhi Jar në rrethin Pokrovsk të rajonit Donjeck.

Videot që qarkullojnë në kanale të ndryshme në Telegram, duket se tregojnë ushtarë ukrainas, të kapur rishtazi nga trupat ruse, duke dalë nga një zonë pyjore.

Pasi të burgosurit rreshtohen, forcat ruse hapin zjarr.

Më pas, ushtarët rusë duket se u afrohen atyre që ishin vetëm të plagosur dhe i qëllojnë përsëri nga një distancë e afërt.

Videot nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Me ligjin ndërkombëtar humanitar, ekzekutimi i ushtarëve të dorëzuar konsiderohet krim lufte.

“Ky është rasti më i madh i raportuar i ekzekutimit të të burgosurve ukrainas në vijën e frontit dhe një tjetër tregues se vrasja dhe torturimi i të burgosurve të luftës nuk janë incidente të izoluara”, shkroi prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, në platformën X.

“Kjo është një politikë e qëllimshme e udhëheqjes ushtarake dhe politike ruse”, sipas tij.

Komisionari i Ukrainës për të Drejta të Njeriut, Dmytro Lubinets, tha se ka kontaktuar Kombet e Bashkuara dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lidhur me vrasjet.

Rusia nuk i komentoi ende këto pretendime.

Kjo nuk është hera e parë që dalin akuza të tilla kundër ushtarëve rusë.

Në shtator, CNN publikoi dy video që supozohet se tregonin personelin ushtarak rus duke ekzekutuar ushtarë ukrainas, derisa ata po dorëzoheshin./rel/

Të ngjashme