Google ADS

Kievi dhe Moska këmbejnë të burgosur, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në Donjeck

16:02 | 14 Shtator 2024
E.K

Forcat ruse kanë vazhduar ofensivën e tyre në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, teksa të dyja palët raportohet se kanë realizuar edhe një këmbim të ushtarëve të burgosur.

Guvernatori rajonal i Donjeckut, Vadym Filashkin, tha më 14 shtator se katër civilë janë vrarë dhe shtatë janë plagosur, pasi Rusia kreu më shumë se 20 sulme, duke detyruar më shumë se 900 banorë që të evakuohen.

Forcat ruse kanë vazhduar përparimin e tyre drejt Pokrovskut, një qendër e rëndësishme logjistike dhe e furnizimeve për trupat ukrainase, që gjendet në vijën e frontit në lindje të Ukrainës.

Ushtria ukrainase ka raportuar për mbi 130 beteja, shumica në drejtim të Pokrovskut, apo afër qytetit Kurkove.

Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se ka marrë nën kontroll fshatin Zhelane Pershe, vetëm 20 kilometra larg qytetit Kurkove.

Rusia po ashtu ka kryer sulme me dronë dhe ukraina tha se ka rrëzuar mbi 70 dronë rusë.

Luftimet në Ukrainë vijnë në kohën kur Rusia po tenton të dëbojë forcat e Kievit nga territori i saj. Ukraina ka marrë nën kontroll më shumë se 1.300 kilometra katrorë në rajonin rus të Kurskut, pasi nisi ofensivën atje në gusht.

Më 14 shtator, Rusia dhe Ukraina po ashtu kanë këmbyer nga 103 ushtarë të burgosur. Ky është këmbimi i tretë i të burgosurve, që kur Ukraina nisi ofensivën në Rusi./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme