Khamenei: Sulmet izraelite s’duhet të ekzagjerohen e as të minimizohen

12:27 | 27 Tetor 2024
E.G

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi kundër ekzagjerimit apo minimizimit të ndikimit të sulmeve hakmarrëse që Izraeli kreu ndaj Iranit më 26 tetor.

Duke folur më 27 tetor me familjarët e zyrtarëve ushtarakë iranianë që u vranë gjatë sulmeve, Khamenei i përshkroi sulmet si “keqllogaritje” nga Izraeli.

Megjithatë, teksa ai u bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë që të “kuptojnë aftësitë” që ka Irani, ai nuk bëri thirrje që Irani të përgjigjej, gjë që do të vazhdonte sulmet mes dy rivalëve.

“Sigurisht, ata po e ekzagjerojnë”, tha ai duke iu referuar Izraelit, shtet që tha se në mënyrë të suksesshme kreu “sulme të shënjestruara dhe precize” ndaj caqeve ushtarake të Iranit.

“Është gabim të ekzagjerohen, por po ashtu është gabim të minimizohen”, tha Khamenei, duke shtuar se Irani nuk mund thjesht të thotë “[sulmet] nuk ishin asgjë, s’ishin të rëndësishme”.

Teherani i ka kërkuar Zvicrës, që mban presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të dënuar Izraelin pas sulmeve ajrore, që ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve raketore që Irani kreu në Izrael në fillim të muajit.

Përderisa zyrtarët iranianë kanë insistuar se mbrojtja ajrore ka penguar shumicën e predhave të lëshuara nga Izraeli, ata po ashtu kanë thënë se katër ushtarë iranianë janë vrarë gjatë sulmeve.

Sulmet nuk goditën ndërtesat bërthamore apo të prodhimit të naftës, ashtu siç pritej.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 26 tetor mbrojti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por po ashtu shprehu shqetësim se sulmet e ndërsjella mes dy shteteve armike, mund të çojnë në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Për javë të tëra, zyrtarët iranianë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë pritur që Izraeli të kryejë sulme, për shkak se Irani sulmoi Izraelin më 1 tetor me rreth 180 raketa balistike.

Teherani kishte thënë se sulmi ishte hakmarrës, për shkak të sulmeve që Irani kryen ndaj grupeve që mbështeten nga Irani: Hamasi në Gazë dhe Hezbollahu në Liban.

Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nxiti luftën në Gazë me Izraelin, pasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, Hezbollahu – grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – ka këmbyer zjarr në kufi me Izraelin. Në tetor të këtij viti, tensionet u përshkallëzuan mes palëve dhe Izraeli nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Hezbollahu, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Të ngjashme