Google ADS

Këshilli i Sigurimit miraton një rezolutë për armëpushimin që synon t’i japë fund luftës Izrael-Hamas në Gaza

22:37 | 10 Qershor 2024
E.H

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën rezolutën e parë që mbështet një plan armëpushimi, që synon t’i japë fund luftës tetëmuajshe midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Rezoluta mirëpret një propozim armëpushimi të shpallur nga presidenti Joe Biden, të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se Izraeli e ka pranuar. Propozimi i bën thirrje Hamasit, i cili fillimisht tha se e shihte atë “pozitivisht”, të pranojë planin me tre faza.

Rezoluta, të cilën këshilli e mbështeti me 14 vota, me Rusinë që abstenoi, i kërkon Izraelit dhe Hamasit “të zbatojnë plotësisht kushtet e armëpushimit pa vonesë dhe pa kushte”.

Më herët të hënën, zëvendës ambasadori amerikan Robert Wood u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara donin të siguroheshin se që të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit ta mbështesin atë që ai e përshkroi si “mundësinë më të mirë, më realiste për të sjellë të paktën një ndalesë të përkohshme të kësaj lufte”.

Ende është e paqartë nëse Izraeli dhe Hamasi do të pajtohen me planin me tre faza të armëpushimit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se presidenti Biden prezantoi vetëm pjesë të propozimit dhe këmbënguli se çdo bisedë për një armëpushim të përhershëm përpara se të zhbëjë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit nuk është fillim i mirë.

Udhëheqësit e Hamasit dhe të Xhihadit Islamik Palestinez, u takuan në Katar të hënën për të diskutuar marrëveshjen e propozuar të armëpushimit dhe thanë në një deklaratë më pas se çdo marrëveshje duhet të çojë në një armëpushim të përhershëm, në tërheqjen e plotë izraelite nga Rripi i Gazës, në përfundimin e rrethimit izraelit të Gazës, në rindërtim dhe “një marrëveshje serioze shkëmbimi” të pengjeve në Gaza dhe palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Hamasi përshëndeti miratimin e rezolutës së hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe tha në një deklaratë se është i gatshëm të bashkëpunojë me ndërmjetësit për zbatimin e parimeve të planit.

Rezoluta e miratuar të hënën nënvizon “rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara që synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të armëpushimit, që do të zbatohet në trie faza”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në udhëtimin e tij të tetë në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori, duke ndjekur këtë qëllim.

Në propozimin e publikuar me 31 maj, presidenti Biden tha se ai parasheh vendosjen e një armëpushim fillestar gjashtëmujor, me lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gaza dhe kthimin e civilëve palestinezë në të gjitha zonat në territor.

Faza e parë parasheh gjithashtu shpërndarjen e sigurt të ndihmës humanitare “në shkallë të gjerë në të gjithë Rripin e Gazës”, për të cilën presidenti Biden tha se do të çonte 600 kamionë me ndihma në Gaza, çdo ditë.

Në fazën e dytë, sipas rezolutës, me marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, do të sigurohej “një përfundim i përhershëm i armiqësive, në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve të tjerë që janë ende në Gaza dhe një tërheqje e plotë e forcave izraelite nga Gaza”.

Faza e tretë do të nisë “një plan të madh rindërtimi shumëvjeçar për Gazën dhe kthimin e eshtrave të çdo pengu të vdekur që ndodhet në Gaza te familjet e tyre”.

Teksti i rezolutës përsërit “angazhimin e palëkundur të Këshillit të Sigurimit për të arritur një zgjidhje të negociuar me dy shtete, ku dy shtete demokratike, Izraeli dhe Palestina, jetojnë krah për krah në paqe brenda kufijve të sigurt dhe të njohur”.

Teksti thekson “rëndësinë e bashkimit të Rripit të Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez”. Kjo është diçka për të cilën qeveria e djathtë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nuk është pajtuar.

Sulmi terrorist i Hamasit me 7 tetori çoi në vdekjen e rreth 1200 njerëzve në Izrael, kryesisht civilë, sipas të dhënave zyrtare izraelite. Militantët e Hamasit morën rreth 250 pengje, 116 prej të cilëve mbeten në territorin palestinez, përfshirë 41 që ushtria thotë se janë të vdekur.

Përgjigja ushtarake e Izraelit la pas vetes të paktën 37,000 palestinezë të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk bën dallime midis luftëtarëve dhe civilëve në të dhënat e saj./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme