Këshilli i Sigurimit i OKB-së foli për herë të parë me një zë të unifikuar për Ukrainën që kur Rusia filloi luftën e saj mbi dy muaj më parë, duke shprehur mbështetje për përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres për të ndërmjetësuar paqen, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli shprehu “shqetësim të thellë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë” dhe kujtoi “që të gjitha shtetet anëtare kanë marrë përsipër, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, detyrimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre ndërkombëtare me mjete paqësore”.
“Këshilli i Sigurimit shpreh mbështetje të fortë për përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore”, thuhet në një deklaratë.
Deklarata e përbashkët vjen në ditën e gjashtë të presidencës njëmujore amerikane me këshillin. Është e paqartë nëse do të arrihet një konsensus më i madh në organin i cili është përçarë thellë pasi Kremlini filloi luftën.
Rusia vuri veton ndaj një projekt-rezolute të këshillit në shkurt që kërkonte nga Moska të përfundonte menjëherë sulmin e saj dhe të tërhiqte të gjitha forcat. Teksti kishte mbështetjen e 11 nga 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Guterres, nga ana e tij, vuri në dukje rëndësinë e unanimitet të këshillit, duke theksuar se “bota duhet të bashkohet për të heshtur armët dhe për të mbështetur vlerat e Kartës së OKB-së”.
“Unë e mirëpres këtë mbështetje dhe do të vazhdoj të mos kursej asnjë përpjekje për të shpëtuar jetë, për të zvogëluar vuajtjet dhe për të gjetur rrugën e paqes”, tha ai në një deklaratë të veçantë.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 3.309 civilë janë vrarë dhe 3.493 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi një luftë kundër vendit më 24 shkurt. Shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Më shumë se 5,7 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, me rreth 7,7 milionë të zhvendosur brenda vendit, tregojnë të dhënat nga agjencia e OKB-së për refugjatët.
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...