Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë një rezolutë përmes së cilës do të dënohen dhe do të kërkohet ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga rebelët jemenas, Huthi, ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Në draft-rezolutën, të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara, të cilën e ka parë Associated Press, thuhet se dhjetëra sulme të kryera nga rebelët Huthi po pengojnë tregtinë globale “dhe po minojnë të drejtat dhe liritë për lëvizje, por edhe paqen dhe sigurinë rajonale”.
Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood, u tha gazetarëve më 10 janar se rezoluta e propozuar dërgon mesazhin se sulmet ndaj anijeve komerciale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen.
“Shpresojmë që rezoluta të miratohet”, tha ai. “Nuk e di se si një anëtar i Këshillit të Sigurimit do të votojë”.
Wood iu referua Rusisë, e cila javën e kaluar ka ngritur pyetje lidhur me ndikimin e rezolutës mbi përpjekjet për paqe në Jemen dhe në përhapjen e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Moska mund të abstenojë ose të vendosë veto ndaj rezolutës.
Rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, janë të përfshirë në luftën civile në Jemen dhe që nga viti 2014 luftojnë kundër Qeverisë që njihet ndërkombëtarisht. Ata kanë thënë se kryejnë sulme në Detin e Kuq me qëllim që Izraeli t’i japë fund ofensivës shkatërruese nga ajri dhe toka në Rripin e Gazës.
Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe marrë peng 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore, tokësore dhe detare që kanë lënë të vdekur mbi 23.000 palestinezë në Rripin e Gazës.
Në draft-rezolutë po ashtu kërkohet lirimi i menjëhershëm i anijes së parë që u sulmua nga Huthit, Galaxy Leader, që operohet nga japonezët. Kjo anije ishte e lidhur me një kompani izraelite dhe ajo së bashku me ekuipazhin u mor nën kontroll nga rebelët më 19 nëntor 2023.
Deti i Kuq lidh Lindjen e Mesme dhe Azinë me Evropën përmes Kanalit të Suezit. Pothuajse 10 për qind e gjithë tregtisë së naftës – që vlerësohet se kap shifrën e 1 trilion dollarëve – kalon përmes kësaj rruge brenda vitit.
Por, sulmet e rebelëve Huthi kanë detyruar shumë kompani transportuese të mallrave që ta shmangin këtë rrugë dhe të përdorin rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme.
SHBA-ja po udhëheq një koalicion të shteteve që po patrullojnë në Detin e Kuq për të parandaluar sulmet./rel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?