Google ADS

Kërkesa e Trump ndaj gjeneralëve: Më sillni “opsionet” kundër Koresë

21:15 | 10 Prill 2017
Trina Galanxhi

Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar këshilltarëve të tij të vendosin mbi tryezë listën e “opsioneve” për t’i dhënë fund kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

Gjeneral-lejtnanti McMaster deklaroi të dielën se shefi i Shtabit të Përgjithshëm kishte njoftuar ekipin e tij të sigurisë teksa grupi goditës amerikan i kryesuar nga “USS Carl Vinson” drejtohej për nga gadishulli korean. Ai nuk tha se cilat mund të jenë opsionet që mund t’i prezantohen presidentit Trump, por ekspertët besojnë se sulmet parandaluese mund të jenë njëra prej tyre.

McMaster, edhe ky një këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, e përshkroi vendimin për devijimin e grupit goditës të Vinsonit drejt detit të Japonisë si “të matur”, duke pasur parasysh modelin e sjelljes provokuese të Koresë së Veriut.

Duke folur për “Fox News”, McMaster tha:

“Është tejet e matur, apo jo? Presidenti i mëparshëm dhe presidenti Trump kanë rënë dakord se sjellja e tyre është e papranueshme, por edhe për atë që duhet medoemos denuklearizimi i gadishullit korean. Presidenti na ka kërkuar të jemi të gatshëm, të ofrojmë një sërë opsionesh për ta eliminuar këtë kërcënim”.

Lajmi vjen pasi Trump urdhëroi goditjen me raketa “Tomahawk” të një baze ajrore siriane gjatë javës së kaluar, duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara shënjestrojnë drejtpërdrejt regjimin e Assadit gjatë luftës civile 6-vjeçare në Siri.

Koreja e Veriut e denoncoi sulmin e Trumpit si një “akt të patolerueshëm agresioni” dhe një të tillë që “justifikon miliona herë shtysën e tyre drejt të qenit një pengesë bërthamore”.

Të shtunën, admirali Harry Harris, komandant i Komandës amerikane të Paqësorit, devijoi kursin e “USS Carl Vinson” nga Singapori drejt Australisë, për në lindje të gadishullit korean. Grupi goditës i Marinës amerikane pritet “të operojë në Paqësorin perëndimor”, në vend që të shkonte drejt porteve australiane, siç ishte planifikuar.

Lëvizja e Trumpit vjen edhe një javë pasi ai paralajmëroi Kinën se do të ishte i gatshëm të vepronte edhe i vetëm në zgjidhjen e problemit të Koresë së Veriut. Edhe pse presidenti nuk e bëri të qartë se çfarë zgjidhjeje mund t’i jepte, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka këmbëngulur prej atëherë se nuk ekziston alternativa e rrëzimit të regjimit të Kim Jong-un.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme