Kërcënimi i sigurisë nga grupet e dhunshme ekstremiste nuk është eleminuar pavarësisht zhvendosjes së fokusit të Uashingtonit në ato që konsiderohen si kërcënime në rritje nga Kina, Rusia dhe Irani, ka paralajmëruar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Joseph Dunford.
Dunford, ka thënë në një konferencë para më shumë se 80 shefave ndërkombëtarë të mbrojtjes në Uashington se çdo lehtësim i presionit ushtarak ndaj Al-Kaidës dhe grupit militant, Shteti Islamik (IS) do të kontribuojë në riformimin e tyre.
Aktualisht në Perëndim është ulur numri i sulmeve të kryera nga këto grupe, ndonëse militantët e këtyre të fundit kontrollojnë disa pjesë të territorit në Irak, Siri, Afganistan dhe disa shtete tjera.
Mirëpo Dunford ka thënë se parimet themelore si shoqërore ashtu edhe ato politike që kanë nxitur krijimin e besimit në këto grupe nuk kanë ndryshuar dhe se grupet janë duke trasnformuar masat e tyre duke përdorur internetin dhe mjete tjera teknologjike për të frymëzuar nisjen e sulmeve të reja.
Ai ka thënë se deri më tani është “bërë pak përparim në adresimin e kushteve fillestare që nxisin ekstremizëm të dhunshëm”, pa dhënë detaje shtesë.
“Ka mundësi që sfida kryesore me të cilën jemi duke u përballur sot është rreziku i vetëkënaqësisë”, ka shtuar ai.
“Një keqinterpretim dhe keqkuptim i të dhënave sa i përket karakterit të kërcënimit mund të rezultojë me zhvendosje të fokusit të liderëve nga ekstremizmi i dhunshëm duke u kushtuar vëmendje sfidave tjera”.
Ai ka thënë se qeveritë duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën ushtarake, të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, ashtu që të luftohet ekstremizmi dhe të gjenden rrugë për të zvogëluar përdorimin e hapësirës kibernetike nga militantë të këtyre grupeve, duke u pamundësuar rekrutimin e personave të ri apo nxitjen e sulmeve të reja.
Dunford po ashtu ka kërkuar ndihmë për përballje me një numër të madh të luftëtarëve të huaj që kanë luftuar për grupin ekstremist, Shteti Islamik dhe të cilët janë ndaluar nga forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Siri, meqë sipas tij ky grup mund të jetë burim i kërcënimeve në të ardhmen.
Dunford ka përmendur se tani janë ndaluar më rreth 700 persona nga më shumë se 40 shteteve, mirëpo vetëm disa prej tyre janë kthyer në shtetet e tyre.
“Përparimi në aspektin e kthimit të këtyre luftëtarave në shtëpitë e tyre për t’u gjykuar është vonuar për shkak të kornizave ligjore jokonsistente”, ka deklaruar gjenerali amerikan.
“Neve na duhet të gjejmë mënyra për të adresuar këto sfida dhe të parandalojmë këta të ndaluar që të mos bëhen liderë të ardhshëm të organizatave ekstremiste”.
Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis po ashtu u ka bërë thirrje aleatëve që kanë pasur rezerva, të marrin përgjegjësi për personat që janë ndaluar, mirëpo deri më tani është parë pak rezultat.
Ndërkohë Dunford ka thënë se asnjë nga shefat e mbrojrjes me të cilët është takuar më 16 tetor nuk ka treguar përkushtim për të bërë më shumë në këtë çështje.
Përfaqësuesi presidencial i SHBA-së në koalicionin global që synon luftimin e IS-it, Brett McGurk ka thënë se aktualisht koalicioni është duke u siguruar se luftëtarët e huaj janë duke u ruajtuar në një mënyrë që u pamundëson kryerjen e sulmeve në të ardhmen.
Kërkesa e Dunford për t’i kushtuar vëmendje aspektit të luftimit të terrorizmit ka ardhur pasi Uashingtoni dhe qeveri tjera të Perëndimit kanë kthyer sytë në atë që e konsiderojnë si rritje të agresionit nga ana e Rusisë, zgjerimit të ushtrisë në Kinë, kërcënimit bërthamor në Korenë Veriore dhe përfshirjen e Iranit në konfliktet në Lindje të Mesme, në mesin e prioriteteve tjera.
Në strategjinë e re amerikane për Siguri Kombëtare, të prezantuar në muajin janar është kuptuar se luftimi i fuqive të mëdha përfshirë Kinën dhe Rusinë përbën sfidën kryesore për ushtrinë amerikane, në procesin e uljes së kërcënimit nga terrorizmi.
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...