00:05 | 2 Shkurt 2018
Trina Galanxhi
Minisitria e Jashtme greke, nëpërmjet zëdhënësit të saj Aleksandros Gjenimatas, i është përgjigjur ashpër deklaratave një këshilltari të presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, me anë të të cilave ai ka kërcënuar kryeministrin grek Aleksis Tsipras dhe Ministrin e Mbrojtjes Panos Kamenos.
Duke marrë si shkas vizitën e këtij të fundit në ujërat pranë ishullit Imia, për të hedhur një kurorë me lule në kujtim të tre oficerëve grekë që humbën jetën gjatë incidentit më të nxehtë midis dy fqinjëve në Egje, 22 vjet më parë, Jigit Bulut, gjatë një programi televiziv, ka thënë:
“Athina do të ndiejë zemërimin e Turqisë, më keq se në Afrin. Ne do të thyejmë këmbët dhe duart e zyrtarëve, kryeministrit apo çdo ministri që do guxojë të shkelë në Imia, në Egje”, tha këshilltari i Erdogan.
Athina zyrtare i ka cilësuar deklaratat e tij, të padenja, të huaja për kulturën politike evropiane dhe i ka bërë thirrje këshilltarit të presidentit turk, që duke pasur parasysh postin, të kuptojë se qëndrime të tilla nuk ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Gjithashtu, Ministria e Jashtme greke ka theksuar se statusi ligjor i Egjeut është i qartë dhe i garantuar me ligj ndërkombëtar. Tensionet mes Athinës dhe Ankarasë janë shtuar ditët e fundit, pas përpjekjes së flotës turke të pengojë dy luftanijet greke, në të cilat ndodhej ministri i Mbrojtjes, Kamenos, të lundrojnë pranë ishullit Imia.
Athina ka përgënjeshtruar publikimet e mediave turke, sipas të cilave Kamenos nuk mundi të shkojë në vendngjarje, duke publikuar videot përkatëse nga memoriali i hedhjes së kurorës pranë ishullit të kontestuar nga Ankaraja./tch/