Kërcënimet e Trump për NATO-n, Evropa në lëvizje: Na duhen 10 vjet kohë për t’u përgatitur

17:33 | 13 Shkurt 2024
KRG

Evropa do të ketë nevojë për 10 vjet kohë, para se të bëhet tërësisht gati për të mbrojtur veten, tha për mediat në Evropë, shefi i kompanisë gjermane, një nga më të mëdhatë në botë për mbrojtjen, Rheinmetall.

Armin Papperger tha se aktualisht, stoku i municioneve është thuajse bosh. Ai i bëri komentet gjatë një vizite të kancelarit gjerman, Olaf Sholz, në fabrikën e prodhimit të armëve të reja në Saksoninë e ulët. Të pranishëm aty ishin edhe ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, si dhe ministri danez, Mette Frederiksen.

Komentet e shefit të “Rheinmetall” erdhën vetëm pak orë pas deklaratave të ish-presidentit Trump, që nxitën jo pak alarm në Evropë. Rheinmetall thotë se do të investojë më shumë se 300 milionë dollarë në fabrika të reja, ndërsa aktualisht pritet të prodhojë 200 mijë predha artilerie në vit.

Papperger tha se do duhet një kohë e gjatë që Evropa dhe anëtarët e NATO-s të përgatiten kundër një agresori të mundshëm, që do tentojë t’i sulmojë ata. “Do ishim mirë pas 3-4 vitesh, por që të jemi totalisht gati, do duheshin të paktën 10 vite përgatitje”, tha shefi i Rheinmetall.

“Na duhet të prodhojmë 1.5 milionë municione në Evropë”, tha Papperger, në një kohë që prej 2 vitesh, pjesa më e madhe e municioneve, të dala nga fabrikat evropiane, janë dërguar në Ukrainë, duke i lënë stoqet në Evropë, thuajse të boshatisura.

“Sa kohë jemi në luftë, duhet të ndihmojmë Ukrainën, por për të plotësuar mungesat, na duhen të paktën 5 deri në 10 vjet”, tha ai.

Kancelari gjerman Shcolz refuzoi fillimisht të thotë nëse ishte i shqetësuar për komentet e zotit Trump, duke thënë se ishte absolutisht i sigurisë se NATO është thelbësore për Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe vendet evropiane.

Më vonë, përmes një postimi në rrjetin X, kancelari i përshkroi komentet e Donald Trump si të “papërgjegjshme” dhe “të rrezikshme”.

Aleatët kanë shpresuar vazhdimisht se Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, do të rrisë rolin e saj në sigurinë e Evropës, por në fakt, edhe për 2023, Gjermania ishte mes vendeve anëtare të NATO-s, që nuk arriti ta plotësojë targetin e 2% të shpenzimeve për Aleancën. Këtë target, Berlini zyrtar është zotuar ta plotësojë në 2024./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme