Kënga ‘Despacito’ rrit kërkesat e turistëve për të vizituar Porto Rikon

23:23 | 11 Korrik 2017
Arbresh.info

Despacito, hiti i kësaj vere i këngëtarit portorikan Luis Fonsi në bashkëpunim me reperin Daddy Yankee, ka pasur një popullaritet kaq të madh, saqë sipas Hotels.com, kërkesat e turistëve për të vizituar Porto Rikon janë rritur më shumë se 45 për qind.

Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm, i dobishëm për të zbuluar bukurinë autentike të kësaj copëze parajse, e cila ndodhet në verilindje të Karaibeve, mes Republikës Dominikane dhe ishujve Virgjin.

“Prej kohësh, Porto Riko është një destinacion për pushime, por për shumë turistë është ende i panjohur. Ne dimë që kultura popullore ka një ndikim të madh në strategjitë tona të turizmit, dhe duke qenë se Porto Riko është vendlindja e artistëve Luis Fonsi dhe Daddy Yankee, hiti Despacito, i suksesshëm në gjithë botën, duket se po nxit një numër në rritje turistësh të vijnë të vizitojnë këtë destinacion”, u shpreh Isabelle Pinson, zv.presidente e Hotels.com.

Despacito, hiti i kësaj vere, është një bashkëpunim mes këngëtarit portorikan Luis Fonsi me reperin portorikan Daddy Yankee, u publikua më 13 janar 2017 nga shtëpia diskografike Universal Music Latino. Pasi u transmetua në radiot më në zë në botë, kjo këngë u bë një hit, duke arritur sukses botëror. Shumë njerëz, të dashuruar me ritmet latine të kësaj kënge, kanë zgjedhur si destinacion të pushimeve të tyre Porto Rikon.

Porto Riko është e pasur me vende interesante si për shembull plazhet e bardha karaibike, kryeqytetin San Juan, me kështjella të kohës së kolonizimit spanjoll dhe Qytetin e vjetër, Observatorin Astronomik Arecibo dhe shpellat e Rio Camuy, që gjenden në një luginë të thellë në zemër të xhunglës.

Turistët që vendosin të eksplorojnë këtë vend të pasur me histori do të mbeten të magjepsur nga ndërthurja e përsosur mes natyrës dhe kulturës, nga ngjyrat e ndezura të shtëpive dhe plazheve.

Edhe jeta e natës është mjaft e pasur – një ndërthurje e kuzhinës tipike të vendit me ritmet e muzikës. E si mund të mos biesh në dashuri me Porto Rikon?

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme