Zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Shkup, ku ka thënë se SHBA-ja e merr shumë seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe beson në sinqeritetin e Qeverisë maqedonase, e cila thotë se është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit.
Kasanof është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe e ka vlerësuar takimin me të si produktiv.
Bisedat e 5 dhjetorit u përqendruan në mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe në reformat dhe përfitimet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, tha Kasanof, i cili në korrik mori postin që paraprakisht mbante Gabriel Escobar.
Kasanof tha se SHBA-ja, që është partnere e Shkupit që tri dekada, i di sfidat me të cilat u përball Shkupi kur iu bashkua NATO-s, por i di edhe sfidat me të cilat po përballet tani në procesin e integrimit evropian.
Para se të bëhej anëtar i NATO-s, shteti ndryshoi emrin në Maqedoni të Veriut, në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Në mënyrë që të hapë kapituj të bisedimeve me BE-në, Maqedonisë së Veriut i është kërkuar që të bëjë ndryshime kushtetuese, me qëllim që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës komunitetin bullgar.
Kasanof tha se ai vërtet beson se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar në mbajtjen si prioritet integrimin evropian.
“Absolutisht po, ne shohim sinqeritet, jo vetëm në atë që thotë Qeveria, por edhe në atë që bën. Është një përkushtim për integrimin evropian dhe reformat që kërkohen për këtë proces dhe kjo është diçka që SHBA-ja e mbështet dhe do ta mbështesë”, tha Kasanof.
Sipas tij, segmentet kyçë ku kërkohen reforma janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Ai tha se SHBA-ja e merr shumë seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe tha se mund të komentojë për listën e zezë të sanksione, por shtoi se administrata amerikane po punon në këtë drejtim.
“Kryeministri Mickoski e kupton shumë mirë fuqinë e korrupsionit, i cili minon besimin, dhe për të lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie të madhe, dhe ne e vlerësojmë këtë gjë. Si aleatë të NATO-s, partneriteti ynë kurrë nuk ka qenë më i fortë. E përgëzoj kryeministrin që ka përmbushur kërkesën e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën”, tha ai.
Ndërkaq, Mickoski tha se integrimi evropian është prioriteti kryesor i shtetit të tij dhe se Qeveria e re që ai udhëheq, do të punojë për të përmirësuar standardin jetësor dhe kualitetin e jetës së qytetarëve.
“Në ndërkohë, ne duhet të kryejmë shumë detyra shtëpie, sikurse që është lufta kundër korrupsionit dhe krimit, diçka për të cilën unë kam folur që gjashtë muaj, diçka që qytetarët po na akuzojnë ne si qeveri, se pse s’kemi fuqi për të prodhuar rezultate, pse disa persona nuk kanë marrë përgjegjësi dhe ne të gjithë e dimë se çfarë kanë bërë ata. Sa i përket reformave ekonomike, ne po arrijmë rezultate në këtë fushë, në kuptim të përmirësimit të standardit për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Kasanof tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është e ngritur dhe se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë në përmbushjen e qëllimeve kryesore, si një demokraci prosperuese, e integruar plotësisht në BE./rel/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...