Karvani i imigrantëve që zemëroi Presidentin amerikan Donald Trump ka arritur në kufirin SHBA-Meksikë.
Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil në SHBA. Për të ndihmuar me çështjet e tyre ligjore, një karvan tjetër me avokatë amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut po shkon drejt kufirit jugor të Amerikës për t’i takuar imigrantët.
Ata kanë të gjitha gjërat e nevojshme, këpucë të rehatshme dhe çanta të mbushura me gjërat që u duhen. Claudia Treminho, së bashku me vullnetarë të tjerë të grupit të avokatëve dhe aktivistëve të imigracionit, është nisur në këmbë nga Los Anxhelosi drejt kufirit amerikano-meksikan, një distancë prej 200 kilometrash. Në kufi, ata planifikojnë të takohen me karvanin e emigrantëve nga Amerika Qendrore që para disa javësh ka nisur udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në kërkim të një jete më të mirë.
“Ata po portretizohen si kriminelë, megjithëse ata nuk janë kriminelë. Ata kanë të drejtë të vijnë këtu dhe të kërkojnë azil. Shumica dërrmuese e këtyre njerëzve janë gra dhe fëmijë, të gjithë të paarmatosur. Ata nuk paraqesin ndonjë kërcënim për askënd”, thotë vullnetarja Claudia Treminho.
Karvani i imigrantëve filloi si një grup prej më shumë se 1,000 vetëve dhe zemëroi Presidentin Trump, i cili shkroi në Twitter: “Unë e kam udhëzuar Sekretarin e Sigurisë Kombëtare që të mos i lejojë këto karvane të mëdha njerëzish të hyjnë në vendin tonë.” Grupi i imigrantëve tani përbëhet nga rreth 600 njerëz dhe ata nuk planifikojnë të kalojnë kufirin ilegalisht. Shumica e tyre kanë në plan të kërkojnë azil. Karvani i avokatëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut dëshiron t’i ndihmojë ata.
“Ne do ta mirëpresim karvanin – jo me armë, jo me trupa, por me krah të hapur. Sepse ky është karakteri i vërtetë i këtij vendi. Ne kemi një grup avokatësh që do t’i takojnë këta njerëz në Parkun e Miqësisë, në mënyrë që të shqyrtojnë rastet e tyre dhe të fillojnë procesin e kërkimit të azilit në emër të tyre”, thotë vullnetarja Tacy Borden.
Karvanit amerikan pritet t’i bashkohen më shumë vullnetarë përgjatë rrugës, dhe kishat po u ofrojnë atyre strehim gjatë natës. Në fund të prillit, ata shpresojnë të arrijnë në kufirin e Tihuanës, ku planifikojnë të fushojnë dhe t’i ndihmojnë ata që kërkojnë ndihmë./gsh/
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...