Kapitali i tregut të kriptovalutave bie nën 1 trilion dollarë, më i ulëti në 17 muaj

14:02 | 13 Qershor 2022
arbresh.info

Kapitali i tregut të kriptomonedhave ra nën 1 trilion dollarë sot për herë të parë në 17 muaj, pasi inflacioni rekord në mbarë botën dhe qëndrimi i ashpër i Rezervës Federale të SHBA-së vazhdojnë të paraqesin rreziqe për investitorët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vlera totale e tregut të kriptomonedhave ra në 925 miliardë dollarë mëngjesin e sotëm. Edhe pse vlera më vonë u rikthye, ajo përsëri ra në 998 miliardë dollarë disa orë më pas, sipas të dhënave nga faqja e internetit e përcjelljes së çmimeve të aseteve digjitale CoinMarketCap.

Kjo shënon herën e parë që nga janari 2021 që kapitali i tregut të kriptomonedhave të shkojë nën nivelin e 1 trilion dollarëve.

Çmimi i Bitcoin-it, kriptos më të madhe në botë për nga madhësia e tregut, ra në 24.685,36 dollarë para orës 08:30 (GMT). Ethereum, altcoin më i madh në botë për nga vlera e tregut, ra në 1.266,28 dollarë. Të dy aktivet digjitale ranë më shumë se 10 për qind gjatë ditës.

Ndërsa Bitcoin ra mbi 20 për qind gjatë javës së kaluar, Ethereum humbi rreth 33 për qind të vlerës së tij.

Inflacioni rekord në botë dhe lëvizjet agresive të normave të interesit të Fed kanë bërë që investitorët e kriptove të ndihen të rrezikuar.

Pas 25 dhe 50 pikë bazë të rritjes së normës në mars, respektivisht maj, Fed pritet gjerësisht të rrisë normat me 50 pikë bazë të tjera në secilin nga takimet e saj të ardhshme të mërkurën dhe në korrik.

Disa zyrtarë të Fed në javët e fundit kanë treguar gjithashtu se banka qendrore mund të bëjë një rritje të normës së interesit me 75 pikë bazë në shtator për të ulur inflacionin rekord në më shumë se 40 vjet.

Inflacioni i konsumatorit në SHBA u rrit me 8,6 për qind në maj, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke regjistruar rritjen më të lartë vjetore që nga dhjetori 1981.

Të ngjashme