Kandidati për Kryeministër në Itali, populistët zgjedhin Conten

23:29 | 21 Maj 2018
Trina Galanxhi

Pas dy muaj e 17 ditësh, Lega Nord dhe Lëvizja e “Pesë Yjeve” i paraqiten presidentit të Republikës Sergio Matarela, emrin e të zgjedhurit për postin e kryeministrit italian.

Ai është Guisepe Conte, profesor i jurisprudencës dhe avokat. Lajmin e konfirmoi i pari lideri i “Lëvizjes së 5 yjeve”, Luigi Di Maio teksa dilte nga pallati presidencial, duke bërë kështu edhe një gafë institucionale, duke qenë se konsultimet ishin në vazhdim.

Për të mësuar nëse Matarela do të mandatojë zyrtarisht Conten për krijimin e qeverisë së re, duhet pritur deri të martën, kur do të zhvillohen konsultimet me krerët e Dhomës së Ulët dhe Senatit.

54-vjeçari Conte, profesor në Firence e Romë është krejtësisht i panjohur në skenën politike. Ai shihet si një kandidat kompromisi, i cili premton të sigurojë mbështetjen e italianëve. Matarela do ta ketë të vështirë ta refuzojë.

Megjithatë Conte, ka ide të forta lidhur me mënyrën se si duhet të udhëhiqet Italia dhe konsiderohet si i afërt me Luigi Di Maion e “Lëvizjes së 5 yjeve”. Ai ka kërkuar rrëzimin e qindra ligjeve që i cilëson si të padobishme dhe beson se ideologjitë e shekullit të 20 janë demode.

Partitë populiste refuzojnë masat e kursimit të BE dhe duan të rinegociojnë borxhin e Italisë. Programi i koalicionit, për të cilin Di Maio dhe Salvini u dakordësuan pas disa ditësh bisedime, përfshin vlera të reja të taksës së sheshtë dhe të ardhura bazë për të varfrit./tch/

Të ngjashme