Google ADS

Kandidatët për president me qasje të ndryshme ndaj ekonomisë

16:11 | 21 Prill 2024
R J

Ekonomia amerikane është një faktor kryesor në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti luan një rol kyç në hartimin dhe përcaktimin e politikave tregtare dhe ekonomike të vendit. Në materialin në vazhdim, korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presuti flet mbi gjendjen e ekonomisë amerikane dhe dallimet mes dy kandidatëve mbi mënyrën se si do ta trajtonin atë.

Presidenti Joe Biden u rrit në Scranton të Pensilvanisë, në një lagje të banuar kryesisht nga klasa punëtore. Duke folur mbi prejardhjen e tij,  Biden e quajti kundërshtarin Trump si kandidat që ka humbur lidhjet me realitetin

“Ai e shikon ekonominë nga Mar-a-Lago, ku me miqtë e tij të pasur mbështesin politikat e dështuara që kanë dëmtuar familjet e klasës punëtore për më shumë se 40 vjet. Vlerat e Scranton-it apo Mar-a-Lagos? Këto janë vizionet konkurruese për ekonominë tonë duke ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë themelore në qendër të kësaj fushate”, thotë Presidenti Biden.

Gjatë fillimit të mandatit të Trump, ekonomia ishte e fortë dhe papunësia në 3.5%. Dee Boisvert në New Hampshire është mbështetës i republikanit Trump.

“Të gjithë ishin të lumtur dhe po bënin para. Gjithçka ishte mirë”.

Por më pas u përhap pandemia e koronavirusit. Viti i fundit i mandatit të Presidentit Trump u shoqërua me një papunësi prej 14.7%. Muajin e kaluar, papunësia ishte në shkallën 3.8%. Zëri i Amerikës bisedoi në Arizona me Howard Webster, mbështetës i Presidentit Biden.

“Ajo që Joe Biden ka bërë është se kemi ekonominë më të mirë ndonjëherë dhe papunësinë më të ulët”.

Presidenti Biden thotë se strategjia e tij ekonomike po ndihmon amerikanët e zakonshëm.

“Shoh një Amerikë ku klasa e mesme gëzon një mbështetje të mirë ekonomike dhe klasa e varfër ka një shans që të dalë nga ajo gjendje”, thotë Biden.

Por shumë pajtohen se inflacioni mbetet ende i lartë në rreth 3.5%, madje edhe pse ka rënë nga shifra rekord e vitit 2022. Votuesit e fajësojnë Presidentin Biden.
Trump e drejton gishtin tek kundërshtari Biden.

“Duhet t’i shpjegojmë popullit amerikan se çfarë po ndodh, sepse ata po shohin se çfarë ndodh në kufi, po përballen me inflacionin dhe ekonominë, e cila është në gjendje të tmerrshme”, tha Trump.

Gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë, Trump favorizoi politikat e prodhimit të produkteve brenda vendit. Gjatë një tubimi fushate ai foli për automjetet e prodhuara në Meksikë.

“Do të vendosim një tarifë 100% për çdo makinë që vjen nga ana tjetër e kufirit dhe ju nuk do të jeni në gjendje t’i shisni ato”.

Sondazhi i kësaj jave nga agjencia e lajmeve Reuters tregon se amerikanët besojnë se republikani Trump do ta trajtonte ekonominë më mirë se Presidenti Biden./voa

Të ngjashme