Kalifornia përballet me një nga zjarret më të mëdha në historinë e saj

12:19 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Zjarret të ndezura nga gjuajtja e rrufeve në shtetin amerikan të Kalifornisë, i cili është goditur nga një valë e nxehtësisë, kanë fituar përmasa të mëdha, për t’u bërë nga zjarret më të mëdha në historinë e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aktualisht, ka rreth 560 zjarre që po ndodhin në gjithë Kaliforninë, të mëdha dhe të vogla, kryesisht në pjesët veriore.

Autoritetet deklaruan se disa zjarre janë dyfishuar në madhësi brenda 24 orëve dhe se flakët që kanë përfshirë zonat e dendura me pyje dhe shkurre kërcënojnë dhjetëra mijëra shtëpi.

Të paktën 100 mijë njerëz në shtet janë urdhëruar të evakuohen për shkak të zjarreve.

Në tre grupet e zjarreve që kanë prekur pjesët veriore, lindore dhe jugore të qytetit të San Franciscos, janë dëmtuar 2.566 kilometra katrorë dhe më shumë se 500 ndërtesa janë bërë të papërdorshme.

Më shumë se 12.000 zjarrfikës po punojnë për fikjen e zjarreve në gjithë shtetin.

Autoritetet deklaruan se nga zjarret e vazhdueshme në rrethet Solano dhe Napa dhe pjesën qendrore të shtetit, pesë persona, njëri prej të cilëve ishte pilot i një helikopteri që ra gjatë operacioneve zjarrfikjes, humbën jetën, dy persona janë zhdukur, kurse 33 civilë dhe zjarrfikës janë lënduar.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha në një deklaratë një ditë më parë se zjarret u shkaktuan nga temperaturat e larta “të jashtëzakonshme” dhe rrufetë, duke shtuar se gjithsej 11.000 goditje rrufesh janë regjistruar brenda 72 orëve.

“Zjarri Camp”

Zjarri pyjor i cili filloi në shtetin e Kalifornisë më 8 nëntor 2018 dhe u emërua si “Zjarri Camp” shkaktoi dëme prej 16,5 miliardë dollarësh dhe u bë katastrofa natyrore më e kushtueshme e atij viti.

Zjarri filloi në qytezën Paradise në pjesën veriore të shtetit dhe shkatërroi afërsisht 14.000 shtëpi, më shumë se 500 biznese dhe afërsisht 4.300 ndërtesa, kurse më shumë se 80 njerëz humbën jetën.

Zjarri, i cili preku një sipërfaqe prej 620 kilometrash katrorë në total, u regjistrua si “zjarri më i madh pyjor me humbjen më të madhe të jetëve” në historinë e Kalifornisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme