Google ADS

Juncker: Brexit-i pa marrëveshje i mundshëm edhe pas zgjatjes së afatit

16:52 | 20 Prill 2019
A. B.

Mundësia e largimit nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, është e mundshme përkundër shtyrjes së afatit, tha të shtunën në një intervistë për gazetën gjermane FUNKE, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Komentet e presidentit vijnë një javë pas shtyrjes së afatit për 6 muaj të BE-së ndaj Britanisë së Madhe.

“Askush nuk e di se si do të përfundojë Brexit-i. Kjo po krijon shumë paqartësi. Ende ekziston një frikë se dalja e Britanisë do të jetë pa asnjë marrëveshje”, tha Juncker.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor, raporton REL.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e përshkroi marrëveshjen si “shtyrje fleksibile”, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

“Ju lutem, mos humbni kohë”, kishte thënë Tusk.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme