Judah: SHBA’ja s’ka mundur të gjejë njeri më të mirë se Palmeri për Ballkanin

21:06 | 1 Shtator 2019
Arbresh.info

Shtetet e Bashkuara nuk mund të gjenin një person më të mirë se Matthew Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, sipas publicistit dhe gazetarit Tim Judah.

Ai thekson se Palmer, me përvojë 25-vjeçare, e njeh shkëlqyeshëm rajonin dhe të gjitha figurat kryesore të tij.

Ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer, u emërua së fundi përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

Publicisti Judah mendon se është mirë që Shtetet e Bashkuara kanë emëruar një person me njohuri të shkëlqyera për rajonin dhe të gjitha figurat kryesore të tij.

“Përveç kësaj, unë mendoj se Palmer është realist. Sidoqoftë, thjesht emërimi i Palmerit mund të jetë një shenjë me të vërtetë e mirë për dalje nga qorrsokaku, nëse do të shihnim një hap të ngjashëm nga Komisioni Evropian, përkatësisht vendosjen edhe një të dërguari evropian për rinisjen e dialogut”, tha Judah për mediat serbe.

Ai vlerëson se SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë aktualisht “nivelin e ndikimit që kanë pasur më parë”.

“Në vitet e mëparshme, për shembull, do të ishte e paimagjinueshme për politikanët shqiptarë në Kosovë të refuzojnë atë që kërkon SHBA-ja prej tyre. Dhe emërimi i Palmerit nuk do ta ndryshojë atë”, tha gazetari britanik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme