Google ADS

Jordania: Krimet e luftës Izrael-Palestinë, janë arsyeja e sulmeve në Detin e Kuq

12:20 | 12 Janar 2024
KRG

Ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi tha të premten se komuniteti ndërkombëtar kishte dështuar të vepronte për të ndaluar “agresionin” izraelit kundër palestinezëve, i cili po rrezikonte sigurinë e rajonit.

Sipas “The Guardian”, komentet e tij erdhën pasi ShBA dhe Britania e Madhe nisën sulme kundër objektivave ushtarake Houthi në Jemen në përgjigje të sulmeve të lëvizjes ndaj anijeve në Detin e Kuq, përktheu Arbresh.info.

“Agresioni izraelit në Gaza dhe kryerja e vazhdueshme e krimeve të luftës kundër popullit palestinez dhe shkelja e ligjit ndërkombëtar pa u ndëshkuar janë përgjegjëse për rritjen e tensioneve të dëshmuara në rajon”, tha Safadi në komentet e transmetuara nga media shtetërore. Stabiliteti i rajonit dhe siguria e tij ishin të lidhura ngushtë, shtoi ai.

“Komuniteti ndërkombëtar është në një udhëkryq humanitar, moral, ligjor dhe të sigurisë. Ose merr përgjegjësitë e veta dhe i jep fund agresionit arrogant të Izraelit dhe mbron civilët, ose lejon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrat e tij ekstremistë të na tërheqin në një luftë rajonale që kërcënon paqen botërore”, tha Safadi.

Ai deklaroi se Izraeli po e shtynte rajonin drejt më shumë konflikteve “duke vazhduar agresionin dhe përpjekjen e tij për të hapur fronte të reja” dhe se veprimet ushtarake izraelite kundër civilëve në Gaza përmbushnin përkufizimin ligjor të gjenocidit.

Izraeli ka mohuar akuzat se ka kryer krime lufte dhe të premten hodhi poshtë si “të shtrembëruara rëndë” akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në gjykatën e lartë të OKB-së se operacioni i tij ushtarak në Gaza ishte një fushatë gjenocidi e udhëhequr nga shteti kundër popullsisë palestineze. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme