Jordania e tërheq ambasadorin e vet nga Izraeli për shkak të luftës në Gazë

17:17 | 1 Nëntor 2023
KRG

Jordania, një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, tha të mërkurën se e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Izraeli, dhe se i ka kërkuar ambasadorit izraelit të qëndrojë jashtë Jordanisë, në shenjë proteste për “katastrofën humanitare” në Gazë.

Zëvendëskryeministri i Jordanisë, Ayman al-Safadi, i cili është edhe ministër i Jashtëm, tha se kthimi i ambasadorëve lidhet me “ndaljen e luftës në Gazë” nga Izraeli, si dhe “katastrofës humanitare që po e shkakton”.

Jordania e nënshkroi një marrëveshje paqeje me Izraelin në vitin 1994, duke u bërë vendi i dytë arab pas Egjiptit që e bën këtë.

Ndërkohë, paraditen e të mërkurës, pas pothuajse tri javë rrethim, palestinezët e parë u lejuan të largohen nga Gaza për në Egjipt, përderisa sulmet izraelite goditën një kamp refugjatësh për të dytën ditë me radhë.

Mbi 100 persona që kishin pasaporta të huaja dhe të plagosur rëndë u lejuan që të largoheshin nga Gaza të mërkurën, tha Wael Abu Omar, zëdhënës i Autoritetit Palestinez për kalimet kufitare. Sulmet ajrore vijnë përderisa trupat tokësore të Izraelit po vazhdojnë operacionet e tyre në periferi të qytetit të Gazës, disa ditë pasi nisën fazën e re të luftës, që liderët izraelitë e kanë përshkuar si të gjatë dhe të vështirë.

Shërbimet e internetit dhe të telefonisë mobile u ndërprenë të mërkurën, njësojë siç ishin ndërprerë gjatë fundjavës kur hynë trupat tokësore izraelite në Gazë.

Sulmet në kampin e refugjatëve Xhabalia të martën paralajmërojnë rritjen e numrit të viktimave në të dyja palët, pasi trupat izraelite po avancojnë drejt periferisë së qytetit të Gazës dhe në zonat e banuara.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se infrastruktura ushtarake e Hamasit, përfshirë qindra kilometra tunele, gjenden në qendër të qytetit, që para luftës ishte shtëpi e afër 650.000 banorësh.

Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë të martën, pa bërë dallim në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Kjo shifër nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona, sipas autoriteteve izraelite./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme