Jordania dhe Katari diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit ushtarak

09:37 | 7 Gusht 2019
Arbresh.info

Zyrtarë të lartë nga Jordania dhe Katari kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, kanë njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes e Katarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komandanti i forcave ajrore të Katarit, Salem Hamad Aqeel al Nabit, gjatë vizitës së tij zyrtare në Jordani është takuar ne shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jordanit, Major General Yousef Huneiti.

Në një kumtesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Katarit, thuhet se zyrtarët kanë diskutuar perspektivat e përforcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak.

Sipas kumtesës së Forcave të Armatosura të Jordanisë, Al Nabit dhe Huneiti kanë vlerësuar zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare dhe kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe për t’i shërbyer më së miri forcave të armatosura të të dy vendeve.

Vizita e komandantit Al Nabit në Jordani u zhvillua pas tensioneve në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve për shkak të krizës së Gjirit.

Në qershor të vitit 2017, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni ndërprenë të gjitha lidhjet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit dhe duke vendosur embargo ekonomike ndaj shtetit.

Administrata në Amman kishte njoftuar se ka ulur marrëdhëniet diplomatike me Dohan dhe se do të mbyllë zyrën lokale të televizionit Al Jazeera me seli në Katar.

Katari zëshëm ka mohuar akuzat, duke e përshkruar embargon e udhëhequr saudite si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Në prill të këtij viti, Mbreti Abdullah II i Jordanisë u takua me Ministrin e Mbrojtjes së Katarit, Khalid bin Mohammed al-Attiyah, ku u nënshkruan marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit mes forcave të armatosura të dy shteteve.

Në korrik, Jordania e caktoi sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së jashtme, Zaid al-Lozi, si ambasador në Doha pas më shumë se dy vite nga tërheqja e ambasadorit të saj shkaku i krizës së Gjirit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme