Johnson s’e dëgjon Trumpin, lejon Huawei’n ta ndërtojë rrjetin 5G në Britani
Kryeministri britanik Boris Johnson duket se do të pranojë që gjiganti i telekomit kinez Huawei të luajë një rol në zhvillimin e rrjetit 5G të Britanisë. Ky hap rrezikon të shkaktojë një debat të fortë mes inteligjencës britanike dhe asaj amerikane, sipas zyrtarëve amerikanë.
Megjithë lobimin intensiv në momentet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për të bllokuar Huawei-n, zyrtarët britanikë thonë se është një “përfundim tashmë i paracaktuar” se zoti Johnson do të lejojë pjesëmarrjen e kompanisë Huawei në ndërtimin e rrjetit 5G në Britani.
Kjo do të konfirmonte një vendim “të përkohshëm” të marrë nga paraardhësja e tij, Theresa May. Vitin e kaluar, ajo tha se Huawei duhet të lejohet të ndërtojë disa rrjete “jo-thelbësore” 5G të Britanisë, duke anashkaluar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara.
Vendimi përfundimtar i Kryeministrit Johnson mund të njoftohet që këtë javë, thonë zyrtarët.
Prej një viti, administrata e Presidentit Trump i ka kërkuar Britanisë të mos lejojë kompaninë Huawei të marrë pjesë në zhvillimin e rrjetit të brezit të pestë në Britani. Zyrtarët amerikanë thonë se ekziston një rrezik i madh që kompania, e cila ka lidhje të ngushta me shërbimet e inteligjencës kineze, të veprojë si një kalë Troje për agjencitë kineze të spiunazhit, duke i lejuar ato të mbledhin të dhëna kundërzbulimi.
Nënpresidenti Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u kanë bërë thirrje të gjithë aleatëve perëndimorë të shmangin Huawein për arsye sigurie. Ata kanë paralajmëruar posaçërisht Londrën se pjesëmarrja e Britanisë në marrëveshjen “Five Eyes” (Pesë Sytë), për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që përfshin pesë vende anglofone: Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Britania, do të vihej në rrezik.
Australia dhe Zelanda e Re kanë ndaluar kompaninë Huawei të zhvillojë rrjetet e tyre 5G. Deri më tani, Kanadaja nuk e ka bërë këtë.
Zyrtarë të lartë amerikanë të sigurisë ishin në Londër javën e kaluar dhe paralajmëruan Kryeministrin Johnson dhe ministrat e tij se lejimi i kompanisë Huawei që të furnizonte madje edhe disa pajisje jo thelbësore të rrjetit të ardhshëm 5G do të ishte “çmenduri”.
Por Kryeministri Johnson është përballur me lobim të fortë nga Kina, dhe nga kompanitë britanike të telekomit dhe telefonisë celulare. Ato tashmë kanë instaluar teknologjinë Huawei për të filluar ndërtimin e rrjetit të ri në më shumë se 70 qytete në Britani. Zyrtarët e këtyre kompanive paralajmërojnë se vonimi i instalimit të rrjetit 5G do t’i kushtonte ekonomisë britanike miliarda stërlina. Tërheqja e pajisjeve dhe infrastrukturës tashmë të instaluar do t’i kushtonte kompanive britanike qindra miliona stërlina dhe mund të vonojë deri në pesë vjet instalimin e rrjetit 5G.
Javën e kaluar, Johnson shprehu zhgënjim ndaj Shteteve të Bashkuara për këtë çështje, duke thënë në një intervistë në radio BBC-në se ai nuk dëshironte “të paragjykonte sigurinë tonë kombëtare ose aftësinë tonë për të bashkëpunuar me partnerët e inteligjencës Five Eyes”, por se ai donte që Britania të “bëhej pjesë e teknologjisë më të mirë të mundshme. Ne duam të vendosim një brez të shpejtësisë së madhe për të gjithë.”
Johnson shtoi, “Nëse njerëzit janë kundër një kompanie, atëherë ata duhet të na tregojnë se cila është alternativa.”
Zyrtarët amerikanë njoftohet se i kanë thënë Kryeministrit Johnson se Britania nuk duhet të vërë koston përpara sigurisë.
Kryeministri Johnson ka disa mbështetës në Shtetet e Bashkuara.
“Është një vendim i vështirë për një numër vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara,” thotë Robert Manning, analist në Këshillin Atlantik.
Zoti Manning e kupton ankesën e Kryeministrit Johnson se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë ndonjë alternativë ndaj kompanisë Huawei.
“Në një kuptim, kjo është e gjitha rezultat i politikës Amerika e Para. Duhet të ishim ulur shumë kohë më parë me aleatët tanë për të diskutuar shqetësimet dhe rrugëdaljet,” tha eksperti Manning për Zërin e Amerikës.
Ekspertët britanikë të teknologjisë thonë se është më e lehtë për Shtetet e Bashkuara që të shmangin përdorimin e pajisjeve Huawei, pasi SHBA po ndërton një rrjet më pak të sofistikuar 5G që nuk ka nevojë për teknologjinë e përparuar të antenave të prodhuara nga Huawei. Ata thonë se Huawei do të sigurojë jo vetëm lidhje më të shpejtë të të dhënave celulare, por lidhje më të lehtë midis pajisjeve të bazuara në internet, nga laptopët dhe frigoriferët inteligjentë deri tek makinat pa shoferë.
Gjigandët amerikanë Cisco dhe Qualcomm janë furnizuesit e pajisjeve 5G në Amerikë. Por, kompanitë evropiane Ericsson dhe Nokia aktualisht nuk mund të ofrojnë të njëjtën teknologji të sofistikuar me një çmim të ulët ashtu siç e ofron Huawei.
Agjencitë britanike të inteligjencës janë të ndara mbi rrezikun e sigurisë që paraqet Huawei.
Andrew Parker, kreu i agjencisë MI5, beson se alarmi amerikan është i fryrë. Ai ka thënë publikisht se rreziqet e sigurisë mund të menaxhohen nëse Huawei ka qasje në pjesët më pak të ndjeshme të rrjetit të ri, dhe monitorohet nga afër dhe pajisjet e saj kontrollohen. /VoA
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç