“Është punë e secilit në Parlament” që të realizojë Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, në fund të samitit të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që u mbajt në Francë.
Komentet e Johnsonit vijnë në kohën kur disa deputetë të Parlamentit britanik pritet të takohen për të diskutuar mënyrat për të shmangur Brexit-in pa marrëveshje, më 31 tetor.
Johnson po ashtu tha se edhe udhëheqësit e BE-së duan që Brexit-i “të kryhet”.
“Ata janë shumë entuziastë për t’u marrë me të ardhmen. Ata e konsiderojnë Brexit-in tani si një pengesë, një argument të vjetër. Ata duan të flasin për partneritetin e ri që ne do të ndërtojmë”, tha Johnson.
Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.
Udhëheqësi i Partisë opozitare Laburiste, Jeremy Corbyn, dëshiron të thërrasë një votë mosbesimi ndaj Qeverisë britanike, për të parandaluar Brexit-in pa marrëveshje.
Nëse e fiton këtë votë, Corbyn planifikon të bëhet kryeministër i përkohshëm, ta shtyjë Brexit-in, të thërrasë zgjedhje të parakohshme dhe të bëjë fushatë për një tjetër referendum për daljen ose jo të Britanisë nga BE-ja.
Data për Brexit është shtyrë dy herë.
Ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ka arritur vitin e kaluar marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit, por marrëveshja e saj është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik.
BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.
Britania ka vendosur të dalë nga BE-ja përmes një referendumi në vitin 2016, por institucionet financiare e kanë paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në.
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...