Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është akuzuar se qëndron prapa fshehjes së një raporti që flet për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në politikën e Britanisë së Madhe.
Qeveria britanike la të kuptohet të hënën se nuk do ta lejojë publikimin e një raporti me 50 faqe para zgjedhjeve. Ky raport është hartuar nga Komisioni për Inteligjencë dhe Siguri. Ky vendim nxiti shumë ankesa dhe pakënaqësi në shtetin ishullor.
Ndaj refuzimit të qeverisë për ta publikuar këtë raport reagoi edhe shefi i Komisionit për Inteligjencë dhe Siguri, Dominic Grieve, i cili tha se nuk ka arsye për të mos e publikuar përmbajtjen e raportit. Për më tepër, politikanët e Partisë Laburiste dhe të Partisë Kombëtare Skoceze e akuzuan qeverinë për refuzim të njohjes së shkallës së ndërhyrjes ruse në Britani.
Kohët e fundit ka pasur dëshmi të reja edhe për përpjekjet e Kremlinit për të ndërhyrë në Partinë Konservatore të kryeministrit Johnson përmes një diplomati rus të dyshuar për spiunazh. Merret vesh se ky diplomat kishte qëndruar në Londër pesë vjet dhe vazhdimisht i kishte lavdëruar figurat kryesore të konservatorëve.
Sergey Nalobin, i cili dikur thoshte se kryeministri i tanishëm është miku i tyre i mirë, tashmë jeton në një bllok banesash në Moskë që njihet si “shtëpia e FSB-së (Shërbimit Federal i Sigurisë në Rusi)” për shkak se aty jetojnë shumë punëtorë të agjencisë kryesore ruse të spiunazhit.
Raporti i këtij komisioni është hartuar duke u mbështetur në analizën e agjencive britanike të inteligjencës dhe ekspertët e palëve të treta, përfshirë ish-zyrtarin e MI6-shit, Chtistopher Steele. Në këtë raport trajtohet përpjekja e Rusisë për të ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për Brexit-in.
Qëllimi i anëtarëve të Komisionit për Inteligjencë dhe Siguri ishte që përmes këtij raporti t’i jepnin qeverisë rekomandime për ta shtuar sigurinë para zgjedhjeve të dhjetorit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstac...
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...