Disa nga të emëruarit për kabinetin e Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, po cilësohen si kandidatura “të papërshtatshme” në qarqet demokrate dhe republikane.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u kujtoi kritikëve të dielën se populli amerikan votoi, siç u shpreh ai, “për të shkundur status-quo-në” dhe se kjo është detyra me të cilën do të ngarkohen zyrtarët e rinj, nëse konfirmohen.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump vazhdoi edhe gjatë fundjavës plotësimin e kabinetit të tij, duke emëruar Chris Whrist, një mbështetës i industrisë së naftës dhe gazit, për postin e sekretarit të energjisë.
Zoti Trump u ka dhënë përparësi aleatëve besnikë për postet kyçe të kabinetit.
Një nga emërimet që ka ngjallur më shumë debate është ai i ish-ligjvënësit republikan Matt Gaetz për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, (post i barazvlershëm me atë të Sekretarit të Drejtësisë).
Para se ai të jepte dorëheqje javën e kaluar, një Komision Etik i Dhomës së Përfaqësuesve ishte në prag të përfundimit të hetimeve ndaj tij për akuzat për abuzim seksual dhe përdorim të paligjshëm të drogës. Zoti Gaetz i mohon akuzat.
Ligjvënësi demokrat, Adam Schif tha për rrjetin CNN se, sipas tij, zoti Gaetz nuk është i kualifikuar për të shërbyer në rolin e propozuar.
“A do të kemi një Prokuror të Përgjithshëm ndaj të cilit janë ngritur pretendime të besueshme se është përfshirë në trafikun seksual të fëmijëve, përdorimin e mundshëm të drogave, pengim të hetimeve dhe që përvojën e vetme në Departamentin e Drejtësisë e ka me hetimet ndaj tij”, thotë zoti Schiff.
Senatori republikan, Markwane Mullin beson se Senati duhet të ketë qasje në gjetjet e hetimit, por ai i tha rrjetit NBC se zoti Gaetz meriton një shans të drejtë për t’u konfirmuar për rolin që është emëruar.
“Nuk kam dyshime se Presidenti Trump beson se ai është personi i duhur për të bërë punën e duhur. Ai do të trajtohet njësoj, si çdo i emëruar”, tha zoti Mullin.
Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries foli po të dielën në rrjetin NBC.
Ai hodhi dyshime mbi përzgjedhjet e zotit Trump për kabinetin e tij, disa prej të cilëve, tha ai, nuk kanë përvojë për detyrat që janë propozuar.
“A është kjo më e mira që Amerika mund të ofrojë në një moment si ky, kur po përballemi me kaq shumë sfida? Sigurisht që jo”, tha ai.
Duke votuar për Donald Trumpin, populli amerikan u dha republikanëve mandatin për të ndryshuar gjendjen e vendit, theksoi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson.
“Çdo president ka të drejtë të emërojë kabinetin e tij, të emërojë persona që mendon se do ta përmbushin programin e tij. Njerëzit që janë në këtë listë do ta bëjnë këtë. Ata do të shkojnë në agjencitë që do të udhëheqin dhe do t’i reformojnë ato”, tha zoti Johsnon.
Pritet që shumica e emrave të përzgjedhur nga zoti Trump të marrin miratimin e shpejtë të Senatit.
Presidenti i zgjedhur u ka bërë thirrje po ashtu udhëheqësve republikanë të Senatit që ta lejojnë atë të bëjë emërime edhe në kohën që Senati është me pushime, gjë që do të shmangte mbajtjen e seancave për konfirmimin e anëtarëve të kabinetit të tij.
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...