Presidenti i Shteteve të Bashkuara SHBA Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping do të takohen të mërkurën në vilën historike Filoli në jug të San Franciskos, për katër orë bisedime të detajuara mbi një sërë çështjesh dypalëshe dhe globale, sipas personave që kanë dijeni për planifikimin e takimit.
Bisedimet po zhvillohen në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të vendeve të Organizatës për Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Vila Filoli dhe përgatitjet për takimin
Vendndodhja e bisedimeve u konfirmua ekskluzivisht për Zërin e Amerikës. Filoli është një hapësirë prej afro 265 hektarësh ku ndodhet një vilë madhështore dhe kopshte elegante.
Presidentët Biden dhe Xi mbërrijnë në zonën e San Franciskos të martën përpara takimeve të së mërkurës, të cilat pritet të përfshijnë një drekë pune, një shëtitje në natyrë dhe një takim ku do të marrin pjesë këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe sekretari i shtetit Antony Blinken. Zyrtarë të tjerë të lartë do të mbajnë seanca të veçanta për çështje të veçanta.
Të mërkurën vonë, presidenti Xi pritet të marrë pjesë në dy pritje me udhëheqës të biznesit dhe kulturës amerikane. Një zyrtar i lartë amerikan pritet të prezantojë zotin Xi përpara se udhëheqësi kinez të mbajë një fjalim “për popullin amerikan dhe kinez”, sipas një pjesëmarrësi të ftuar, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Kemi planifikuar t’u lëmë kohë të mjaftueshme dy udhëheqësve që të ulen dhe të bisedojnë në detale mbi gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen SHBA-ja dhe Kina në mbarë globin dhe në marrëdhënier dypalëshe,” u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan.
Zyrtarët kinezë kishin kërkuar që bisedimet dypalëshe të nivelit të lartë të mbaheshin në një vend tjetër nga ai i takimit të APEC-ut, si edhe më shumë kohë për diskutimet, sesa ato të vitit të kaluar në Bali të Indonezisë.
Presidentit Biden dhe Xi u takuan për tre orë nëntorin e kaluar në kur morën pjesë në takimin e G20-ës.
Inteligjenca artificiale
Një zyrtar tjetër i lartë tha se SHBA po kërkon rezultate “thelbësore” dhe “të ndryshme” nga në të kaluarën. Të hënën, Shtetet e Bashkuara njoftuan pjesëmarrjen e tyre, së bashku me 45 qeveri të tjera, në zbatimin e një Deklarate Politike për Përdorimin e Përgjegjshëm Ushtarak të Inteligjencës dhe Autonomisë Artificiale.
Kjo nismë përfshin 10 masa konkrete për përdorimin e përgjegjshëm ushtarak të gamës së plotë të aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale. Sipas gazetës “South China Morning Post”, presidentët Biden dhe Xi pritet të bien dakord për të kufizuar përdorimin e Inteligjancës Artificiale tek armët bërthamore.
“Kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale, ne besojmë se ajo nuk duhet të jetë pjesë e marrjes së vendimeve se si dhe kur përdoret një armë bërthamore,” i tha Zërit të Amerikës Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një konferencë shtypi javën e kaluar gjatë një takim të G7-ës në Tokio.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i ka thënë Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë kontrollin nga njerëzit për të gjitha veprimet kritike për informimin dhe ekzekutimin e vendimeve në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore.
Por “sfida tani është të bindet” Kinën dhe vendet e tjera që t’i bashkohen SHBA-së “në zbatimin e normave të përdorimit të përgjegjshëm të IA-së”.
SHBA, Kina dhe Tajvani
Presidentët e dy vendeve vijnë në takim mes mosmarrëveshjeve të konsiderueshme mes dy vendeve lidhur me Tajvanin dhe një mori çështjesh të tjera, përfshirë tensione tregtare, transferimin e detyruar të teknologjisë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa SHBA deklaroi se qëllimi i saj është të menaxhojë me përgjegjësi konkurrencën me Kinën, qeveria në Pekin e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se marrëdhënia midis dy ekonomive më të mëdha në botë “nuk duhet të përcaktohet nga konkurrenca”.
Këtë javë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Mao Ning tha gjatë një konference shtypi në Pekin se “një konkurrencë mes vendeve të mëdha nuk u jep përgjigje problemeve në Shetet e Bashkuara apo sfidave në botë”.
Pa përmendur emra, zonja Mao akuzoi “forcat e jashtme” dhe Partinë Demokratike Progresive në pushtet të Tajvanit se mbështesin një “program separatist” që po ndryshon status quo-në. Ajo tha se Tajvani është “çështja e brendshme e Kinës”.
Në javët para zgjedhjeve presidenciale të Tajvanit të planifikuara për më 13 janar 2024, SHBA e ka paralajmëruar Kinën kundër çdo ndërhyrjeje, duke deklaruar se një veprim i tillë do të ngjallte shqetësime jashtëzakonisht të mëdha.
Kina e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të vet dhe nuk e ka përjashtuar kurrë përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e plotë. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime të thella për “një rritje të aktiviteteve ushtarake rreth Tajvanit” nga ushtria kineze përpara zgjedhjeve, të cilat Shtetet e Bashkuara i quajnë “të paprecedent”, “të rrezikshme” dhe “provokuese”.
“Ndërhyrja kineze në zgjedhjet demokratike të Tajvanit mund të mos shkojë siç dëshiron qeveria kineze dhe mund të krijojë përshtypje shumë negative mes popullit tajvanez”, tha Joseph Wu, ministri i Punëve të Jashtme të Tajvanit.
Ai i tha Zërit të Amerikës se bisedimet e nivelit të lartë midis presidentëve Biden dhe Xi, synojnë të stabilizojnë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve dhe të rrisin sigurinë rajonale në Indo-Paqësorin, gjë nga e cila do të përfitonte Tajvani.
“Ne nuk jemi të shqetësuar,” tha zoti Wu, kur u pyet nëse Tajvani shqetësohet se Uashingtoni dhe Pekini mund të bëjnë marrëveshje që dëmtojnë interesat dhe nevojat e mbrojtjes së tij./VOA
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...