Sabinella Ayazbaeva i ka pesë fëmijë të vegjël. Ajo vijon kurse të psikologjisë në universitet dhe mban një punë me orar të shkurtuar në një qendër rinore në qytetin e saj në Kazakistanin qendror.
Por ajo ndan kohën e saj për të marrë pjesë në fushatën kundër ekstremizmit, të cilën e ka organizuar ky shtet. Fushata ka për qëllim paralajmërimin e të rinjëve kundër rreziqeve nga grupet terroriste, të cilat synojnë rekrutimin e anëtarëve të rinj në internet, përmes përdorimit të fesë.
Ayazbaeva është e veja e një luftëtari të grupit militant të ashtuquajtur, Shteti Islamik (IS). Ajo bën pjesë në grupin e 600 qytetarëve të Kazakistanit, të cilët u riatdhesuan nga kampet e Sirisë më 2019.
Ayazbaeva, 31-vjeçare, kishte kaluar pesë vjet në Siri. Ajo tha se ka qenë dëshmitare e vrasjeve brutale dhe “padrejtësive të trishta” të kryera nga IS-i, derisa ka jetuar në frikë të vazhdueshme nga sulmet vdekjeprurëse ajrore.
Në intervista, fjalime dhe takimet tjera, Ayazbaeva flet për zhgënjimin dhe tmerret e jetës nën IS-in në Siri. Ajo shpreson se do të ndikojë te të tjetër që të mos “bëjnë gabimet” që ajo dhe burri i saj i kanë bërë më 2014.
Si fillloi?
Një martesë e lumtur, biznes të suksesshëm dhe një banesë. Kjo thotë të ketë qenë jeta e saj para se të shkojë në Siri. Ajo dhe burri i saj bënin një jetë të qetë, ishin praktikues të fesë islame dhe shkonin në një xhami lokale.
Kjo mënyrë jetese vazhdoi derisa burri i saj nuk filloi miqësinë me grupe islamike “jotradicionale” online, thotë ajo.
Në vitin 2014, ai e bindi Ayazbaeva-n se duhej të shkonin për të jetuar në Siri në mënyrë që të rrisnin fëmijët e tyre në një shtet islamik.
Ata morën tre fëmijët e tyre – të moshës midis një dhe gjashtë vjeç – dhe u larguan nga Kazakistani. Familjarëve u thanë se do të shkonin “për një pushim familjar”. Kjo familje brenda disa javësh arriti në Raka të Sirisë. Në atë kohë ky qytet ishte fortesa kryesore e të ashtuquajturit Kalifati Islamik. Menjëherë pas arritjes ata u përballen me realitetin e vërtetë.
Burri i saj nuk vinte me ditë të tëra në shtëpi pasi ishte bërë luftëtar. Sulmet ajrore ndodhnin në baza ditore duke e detyruar Ayazbaeva-n dhe të tjerët të fshiheshin në bodrumin e ndërtesës në të cilën jetonte. “A është rradha ime të vritem?”, ishte pyetja që ajo e mendonte. Ayazbaeva do të bëhej dëshmitare e skenave të tmerrshme.
“Trupa të grave dhe fëmijëve pa gjymtyrë nxirreshin nga rrënoja”, thotë ajo.
Të përballur me këtë situatë, çifti synonin të largoheshin nga Siria, por e dinin se nuk kishin asnjë mundësi ta bënin këtë, pasi militantët e IS-it “vrisnin të gjithë ata që dëshironin të iknin”, thotë ajo. Nga Kazakistani iu erdhi një lajm i keq për shkak të vendimit të tyre për të shkuar në Siri. Me të kuptuar se vajza e saj kishte shkuar në Siri, nëna e Ayazbaevas pësoi sulm në tru.
Para se burri i saj të vritej nga një sulm ajror më 2017, ajo në Siri kishte lindur edhe dy fëmijë tjerë. Bashkë me pesë fëmijët e saj mbetën nën mëshirën e luftëtarëve të Shtetit Islamik. Në atë kohë ky grup po humbte terren nga ushtria siriane dhe forcat kurde.
“Periudha e urisë së madhe filloi më 2018 në zonat e kontrolluara nga IS. Ishte shumë e vështirë që t’ua shpjegoja fëmijëve pse nuk kemi ushqim. Bëja supë nga bari”, thotë ajo. Më pas, Ayazbaeva dhe fëmijët e saj përfunduan në fshatin Baghuz, që ishte rajoni i fundit nën kontrollin e IS-it. Në fillim të vitit 2019, vetëm disa javë para mposhtjes së grupit militant Shteti Islamik në këtë fshat, ajo mori rrugën për në kamp të refugjatëve të kontrolluar nga kurdët. Ky moment shënoi pikë kthese në jetën e saj.
Fillim i ri
Derisa po qëndronte në kamp, forcat kurde i thanë asaj se Kazakistani do të “dërgojë një aeroplan për të kthyer shtetasit e tij në shtëpi”. Ajo kaloi vetëm disa javë në kamp para se të riatdhesohej.
“Në kamp ishte ftohtë, por dallimi ishte se kishim ushqim dhe nuk kishte sulme ajrore. Ishte disi më e durueshme sepse e dinim se aty jemi vetëm përkohësisht dhe do të shkojmë në shtëpi”, thotë ajo, duke treguar se aeroplani nga Kazakistani arriti më 6 maj të vitit 2019.
Ayazbaeva tregon se si ishte emocionuar shumë, kur në aeroport, një grua me uniformë të ushtrisë së Kazakistanit i kishte thënë: “Më lejo ta mbaj foshnjën, t’i mezi po qëndron në këmbët tua”.
Në kuadër të një operacioni riatdhesimi, të ndërmarrë në periudhën janar-maj 2019, Qeveria e Kazakistanit ka kthyer rreth 600 shtetas të saj nga Siria.
Më 4 shkurt 2021, u njoftua se janë riatdhesuar edhe 12 persona, katër burra, një grua dhe shtatë të mitur. Të paktën 800 shtetas kishin shkuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me grupet militante, kanë njoftuar autoritetet e Kazakistanit.
Në muajin maj të vitit 2020, autoritetet burgosën 31 burra dhe 12 gra të riatdhesuar, të cilët u akuzuan për terrorizëm. Ndërsa ndaj disa të tjerëve po zhvilloheshin hetime.
Kur u kthye në Kazakistan, Ayazbaeva dhe të tjerët u dërguan në një qendër rehabilitimi në qytetin Aqtau. Ata menjëherë iu nënshtruan një kontrolli mjekësor dhe kishin në dispozicion edhe seanca këshillimi me psikologë dhe specialistë të tjerë.
Pas qëndrimit në një qendër rehabilitimi në qytetin e saj, asaj iu tha se është e lirë të rifillonte jetën normale të saj.
Përzirje ndjenjash në shoqëri
“Për dy muaj të tërë mendoja se ishte vetëm një ëndërr”, ka thënë Ayazbaeva në njërin prej fjalimeve të saj publike. “E kisha ëndërr të flija nën një çati dhe në shtrat të butë”, kishte thënë ajo.
Pasi ajo filloi një kapitull të ri të jetës në shtëpinë e saj të vjetër në Kazakistan, tashmë përparësia e saj ishte që fëmijët të bënin sërish miq, të krijonin lidhje me gjyshërit dhe të afërmit tjerë, pra të kishin një tranzicion të qetë aty.
Shpresa e saj është që fëmijët ta mundin traumën e shkaktuar gjatë pesë vjetëve të jetës në një zonë lufte.
Ayazbaeva, tash jeton afër prindërve të saj. Ajo mban raporte edhe me familjen e burrit të saj të vrarë në Siri.
“Kishte një reagim kryesisht pozitiv të shoqërisë ndaj meje. Kurrë nuk ka ndodhur që dikush të më quaj terroriste. Megjithatë, disa prej miqve të vjetër kanë frikë të shoqërohen sërish me mua”, thotë ajo.
Kazakistani është vend në Azinë Qendrore me rreth 18.5 milionë banorë. Prej tyre, 70 për qind janë myslimanë. Vendi bën kujdes ndaj kërcënimeve terroriste që kanë shënuar rritje.
Në vitin 2016 në qytetin Aqtobe u sulmua një njësi ushtarake dhe qeveria fajësoi ekstremistët islamikë për këtë incident.
Para se të sulmonin ushtarët, rreth 20 islamistë sulmuan dy dyqane armësh, thanë zyrtarët.
Ayazbaeva përmes fjalimeve të saj dhe paraqitjeve publike synon që t’iu bëjë të qartë njerzve se personat si ajo nuk paraqesin kërcënim për sigurinë.
“Unë e kuptoj që disa njerëz na shohin si një bombë e kurdisur për sigurinë, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë ajo.
“Unë isha dëshmitare e dorës së parë të atyre tmerreve. Më shumë se çdo kush tjetër, unë e kuptoj se nuk duhet të ndjekim këto ide [radikale]”, shton ajo.
Ayazbaeva është mirënjohjese ndaj Qeverisë së Kazakistanit që ia ofroi një mundësi të dytë. Secili vend që ka shtetas të bllokuar në kampe duhet ta bëjë të njëjtën gjë, thotë ajo.
Pikërisht për këtë çështje, ajo më 2019, mbajti fjalim në Parlamentin Evropian.
Në pyetjen për praktikimin e fesë, Ayazbaeva thotë se vazhdon të jetë një myslimane që shkon në xhami dhe mban hixhab.
Ajo thotë se nuk e fajëson fenë për gabimin e saj që të shkojë në Siri, duke shtuar se “nuk jam e zhgënjyer në besimin tim”. /REL/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...