I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James P.Rubin, nga 10 deri më 14 prill do të qëndrojë në tri shtete të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Rubin në Pogdoricë të Malit të Zi dhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të takohet me zyrtarët qeveritarë për të “forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit”.
“Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, përpjekjet e Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë dashakeq që përdorin dezinformatat për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën dhe se si shtetet tona mund t’iu kundërvihen së bashku kërcënimeve në hapësirën e informacionit”, tha DASH.
Ndërkaq, në Tiranë të Shqipërisë, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, zyrtari i lartë amerikan do të marrë pjesë në takime me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara që janë të akredituar në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
James Rubin që në të kaluarën ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit, ka qenë i angazhuar gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Ai ka mbrojtur vendimin për ndërhyrjen ushtrake ndërkombëtare ndaj forcave serbe në Kosovë. Për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës, më 2013, Kosova i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave.
Ndryshe, Qendra për Angazhim Global funksionon në kuadër të DASH-it dhe synon që të integrojë dhe koordinojë përpjekjet e Qeverisë amerikane për të informuar dhe shpërfaqur përpjekjet për propagandë dhe dezinformim që minojnë politikat e sigurisë dhe stabilitetin e SHBA-së dhe shteteve aleate dhe partnere të saj.
Shtete të Ballkanit Perëndimor, sikurse Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë paralajmëruar për rreziqet nga ndikimet e mundshme ruse në Ballkanin Perëndimor, por edhe për ndikimin e Kinës në disa shtete të rajonit.
Të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar. Beogradi ka justifikuar vendimin e tij, duke u thirrur në raportet miqësore që ka me Moskën./REL
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...