Në ditën e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, asgjë nuk do t’i lihet rastësisë. Gjithçka është planifikuar në detajet më minimale në një operacion të quajtur “London Bridge”.
Gazeta “The Guardian”, me një artikull të bazuar në fakte dhe dokumente, ka zbuluar planin sekret të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar. Përgjigja e vendit në atë ditë do të jetë “monumentale”, në krahasim me atë që ndodhi për vdekjen e Lady Dianës në vitin 1997.
Në krah të mbretëreshës do të jenë familjarët e saj dhe profesori Huw Thomas, mjeku grastroenterolog që e ndjek prej vitesh gjendjen e monarkes. Do të jetë ai që do të vendosë se kush do të hyjë në dhomën e saj për të vendosur se cilat informacione duhet të publikohen.
Sekretari personal i mbretëreshës, Sër Christopher Geidt, do të njoftojë menjëherë kryeministrin britanik që do të kontaktohet në çdo orar, edhe në mesnatë po të jetë e nevojshme. Geidt, i lidhur me numrin 10 të Downing Street, përmes një linje telefonike të mbrojtur, për të komunikuar lajmin, duhet të thotë këtë fjalë: “London Bridge is down”. (Ura e Londrës ka rënë). Që nga ai moment, operacioni mund të fillojë.
Më pas, ministri i Punëve të Jashtme do të kujdeset për të dhënë lajmin në 15 vende, ku Elizabeth II është mbretëreshë dhe pastaj do të vijojë me 36 shtete të tjera të Commonwealth.
Pasi të ketë përfunduar këto komunikime, do të kontaktohet agjencia “Press Association” dhe kështu mediat mund të publikojnë lajmin në të gjithë botën. Ndërkohë, në Buckingham Palace, një shërbëtor i veshur në të zeza, do të varë në hyrje të pallatit mbretëror një njoftim me lajmin e vdekjes së sovranes. Edhe sajti zyrtar në internet do të konfigurohet me të zeza për të dhënë lajmin në ueb.
Plani “London Bridge” parashikon ndërprerjen e të gjitha programeve televizive dhe radiofonike. Radiot do të lidhen menjëherë me radio-gazetat dhe në stacione do të transmetohet vetëm muzikë funebër. Në televizione, të gjithë prezantuesit e kanë për detyrë të mbajnë veshur rroba dhe kravata të zeza në shenjë zie.
Disa sajte interneti kanë kontaktuar që tani me ekspertë që do të ndërhyjnë për të komentuar lajmin. Gazetat e shtypura, si për shembull “Guardian” dhe “Times”, kanë përgatitur prej kohësh publikimin e historive dhe lajmeve të detajuara në lidhje me jetën e Mbretëreshës.
Do të mbahen 12 ditë zi kombëtare, në fund të të cilave do të kryhet edhe ceremonia mortore e Elizabeth II në Westminister Abbey.
Ndërkohë, Charles do të bëhet mbret dhe në ditën e vdekjes së mbretëreshës duhet të mbajë një fjalim të vështirë.
William do të jetë princ i Uellsit dhe Kate do të marrë titullin princesha e Uellsit. Do të ristampohen monedha dhe pulla me imazhin e sovranit të ri.
Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve mbajti taki...
Kosova në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kamp...
Hapet selia e re e Shoqatës Humanitare Bamirësie “Bereqeti”
“M’shurdhofsh”, reagimi epik i Xuxit ndaj Burimit
Aliu: Kemi eliminuar burokracinë, kemi reduktuar dokumentaci...
Oficeri i FSK-së, diplomon në SHBA