Izraeli zgjeron operacionet tokësore në Gazë, OKB kërkon armëpushim humanitar

08:07 | 28 Tetor 2023
K.B

Forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre ndaj Hamasit në Rripin e Gazës të premten, njoftoi ushtria izraelite, dhe grupi militant palestinez konfirmoi se luftëtarët e tij po shkëmbenin zjarr me forcat izraelite në disa vendndodhje përgjatë kufirit me Izraelin, përfshirë në Bureij.

Të pyetur rreth këtyre njoftimeve, përfaqësuesit e ushtrisë izraelite thanë se po bëhen operacione të caktuara dhe janë zgjeruar sulmet me qëllim “përgatitjen e terrenit për fazat e ardhshme operacionale”.

Asamblja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga vendet arabe ku bëhet thirrje për vendosjen e menjëhershme të armëpushimit humanitar dhe kërkohet qasje për organizatat e ndihmave në territorin e rrethuar, si dhe mbrojtja për civilët.

Megjithëse nuk është e detyrueshme, rezoluta ka peshë politike dhe reflekton perceptimin global. Ajo u miratua mes duartrokitjeve, me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 kundër – ndër to edhe Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Në rezolutë nuk u përfshi një amendament i propozuar nga Kanadaja për të dënuar pa mëdyshje “sulmet terroriste” nga Hamasi dhe për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupi militant./VOA

Të ngjashme