Izraeli vazhdon sulmet në Rafah pavarësisht urdhrit të GJND-së

09:49 | 25 Maj 2024
E.K

Izraeli ka vazhduar të bombardojë Rripin e Gazës, përfshirë edhe qytetin Rafah, më 25 maj, një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi që të ndalë operacionet ushtarake në qytetin më jugor të enklavës.

Izraeli nuk ka sinjalizuar se vendimi i GJND-së ka ndikuar në planet e tij.

“Izraeli nuk ka dhe nuk do të kryejë operacione ushtarake në zonën e Rafaut që do të krijoni ‘kushte jetese që do të shkatonin shkatërrimin e popullatës civile, tërësisht apo pjesërisht’”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi përmes një deklarate, duke përdorur fjalët që ishin pjesë e vendimit të GJND-së.

Më herët gjatë 25 majit, disa orë pas vendimit të GJND-së, Izraeli kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës, teksa luftimet mes trupave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vazhdojnë.

Më 24 maj, në vendimin e GJND-së u tha se Izraeli duhet “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij në Rafah dhe të ndërmarrë masat e nevojshme që të adresojë krizën humanitare në mbarë rajonin. Masat përfshijnë edhe rihapjen e pikëkalimit kufitar në Rafah me Egjiptin, në mënyrë që të hyjë ndihma humanitare në Gazë.

Ky urdhër është pjesë e rastit të ngritur pranë gjykatës nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për gjenocid dhe i ka kërkuar gjykatës që të lëshojë urdhër që Izraeli të ndalë ofensivën e tij në Rafah.

Në vendimin e GJDN-së më 26 janar, gjyqtarët vendosën që Izraeli duhet të bëjë gjithçka për të parandaluar kryerjen e gjenocidit gjatë ofensivës së tij në Gazë, që Izraeli e nisi në kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të Hamasit kundër Izraelit. Megjithatë, GJND-ja nuk urdhëroi një armëpushim.

Më 28 mars, GJND-ja urdhëroi Izraelin që të ndërmarrë veprime të nevojshme dhe efektive për të siguruar furnizime bazike ushqimore për popullatën civile palestineze në Gazë.

Edhe pse vendimet e gjykatës janë ligjërisht të obligueshme, kjo gjykatë nuk ka mekanizma për t’i zbatuar ato.

Izraeli dhe Hamasi zhvillojnë luftë që nga 7 tetori, pas sulmit që Hamasi kreu në jug të Izraelit, kur vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e kundërpërgjigjes së Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 35.000 palestinezë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme