Forcat izraelite kanë vazhduar sulmet e intensifikuara ajrore dhe një operacion tokësor me tanke në Gazë. Ushtria izraelite thotë se nuk e ka nisur ofensivën tokësore, por se operacioni brenda Gazës po bëhet me qëllim të parapërgatitjes për sulmin tokësor. Ndërkohë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar me shumicë votash një rezolutë të propozuar nga vendet arabe që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Lindjen e Mesme. Por Izraeli dhe SHBA votuan kundër pasi thonë se nga një armëpushim në këto momente do të përfitonte vetëm Hamasi.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit publikuan një video që tregonte se forcat e saj tokësore po vepronin brenda Gazës.
Pamjet treguan disa tanke të rreshtuara përgjatë një fushe, krahas imazheve bardhë e zi të tankeve që manovronin mes shpërthimeve sporadike.
Videot u publikuan mëngjesin e së shtunës pasi Izraeli ndërpreu komunikimet në Rripin e Gazës përmes bombardimeve dhe zjarrit të artilerisë.
Shpërthimet nga sulmet e vazhdueshme ajrore gjatë natës mbi qytetin e Gazës vazhduan për orë të tëra. Ushtria izraelite thotë se po zgjeron operacionet tokësore në enklavën e kontrolluar nga grupi militant palestinez, Hamas.
“Forcat janë ende në terren dhe po vazhdojnë luftën. Gjatë aktivitetit të kryer gjatë natës nuk ka pasur viktima mes forcave tona. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje të mëdha për të mbrojtur trupat me sulme të fuqishme ajrore”, thotë zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari.
Izraeli ka vazhduar operacionet ushtarake në Gazë pavarësisht një rezolute të propozuar nga vendet arabe që u miratua me shumicë votash nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Rezoluta që nuk ka fuqi detyruese u miratua me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 vota kundër u miratua rezoluta e cila nuk është e detyrueshme. SHBA, Izraeli dhe disa vende evropiane votuan kundër pasi thonë nga një armëpushim në këto momente do të përfitonte vetëm Hamasi, organizata militante islamike që Izraeli është zotuar t’ia shkatërrojë fuqinë luftarake.
Militantët e Hamasit, e cila nga SHBA-të vlerësohet si organizatë terroriste, kreu një sulm të pashembullt më 7 tetor duke thyer barrierat kufitare me Izraelin dhe duke vrarë 1400 civilë izraelitë, përfshirë të sapolindur dhe të moshuar.
Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut abstenuan, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi votuan pro rezolutës së propozuar nga vendet arabe e cila ndonëse bën thirrje që të lirohen pengjet e rrëmbyera nuk e përmend Hamasin në tekstin e saj.
Familjet e mbi 220 izraelitëve të rrëmbyer ndezën qirinj në Tel Aviv dhe protestuan ndaj përpjekjeve të dështuara deri më tani të qeverisë izraelite për t’i liruar ata.
“Ne jemi sot këtu sepse ushtria kreu sulm brenda territorit të Gazës dhe askush nuk po flet me ne. Ne duam përgjigje. Duam t’i bëjmë pyetje qeverisë. Kemi frikë për pengjet tona. Familjen tonë. Ne duam t’i sjellim ata në shtëpi gjallë”, thotë 32 vjeçari Noam Bennum, i cili ishte aty në mbështetje të një shoku të zhdukur, 21-vjeçarit Jonathan Samerano.
“Nuk mund të pres më. Dua djalin në shtëpi. Dua të di për misionin nga kryeministri dhe ministri i mbrojtjes. Duhet të bëjmë shumë presion. Ky është qëllimi kryesor që duhet të bëjmë dhe kemi nevojë për përgjigje tani. Unë po ju them se nuk mund të presim më”, thotë Shai Wenktert, babai i një prej pengjeve të marrë nga Hamasi.
Në Bregun Perëndimor, palestinezët protestuan mbrëmjen e së premtes kundër zgjerimit të operacionit ushtarak izraelit në Gaza.
“Populli palestinez lufton për të drejtën e tij për vetëvendosje dhe çlirim”, thotë Mai Khraishi, banor palestinez i Bregut Perëndimor.
Autoritetet palestineze thonë se deri tani 7300 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve të ushtrisë izraelite, megjithëse këto shifra nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur./VOA
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist