Forcat izraelite bastisën të martën një nga spitalet e fundit që ende funksiononte në veri të Gazës dhe bombarduan pjesën jugore të saj me sulme ajrore që shkaktuan vdekjen e të paktën 28 palestinezëve.
Izraeli po vazhdon ofensivën pasi Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen ndaj tij, megjithë alarmin ndërkombëtar në rritje.
Lufta që filloi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e 20,000 palestinezëve dhe zhvendosjen e rreth 1.9 milionë të tjerëve, ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës veriore.
Që nga fillimi i saj janë vënë gjithashtu në shënjestër objektiva të SHBA-së dhe Izraelit në të gjithë rajonin. Sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë bërë që kompanitë kryesore të transportit detar – si dhe gjiganti i naftës dhe gazit BP – të pezullojnë tregtinë përmes atij korridori jetik ujor, duke nxitur SHBA-në dhe aleatët e tyre të ndërmarrin një mision të ri kundër këtij kërcënimi.
Por gjatë vizitës në Izrael të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se nuk ishte atje për të diktuar afate kohore për përfundimin e luftimeve. Komentet e tij sinjalizuan se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin përballë thirrjeve ndërkombëtare në rritje për armëpushim dhe do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë jetike ushtarake.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po mban të martën një tjetër votim për një rezolutë të propozuar nga vendet arabe që bën thirrje për ndaljen e luftimeve dhe furnizimin me ndihma humanitare të Gazës. Takimi ishte parashikuar për të hënën por u shty.
Diplomatët thanë se po bëhen negociata për të bindur SHBA-në që të abstenojë ose të votojë “pro” rezolutës, pasi i vuri veton një thirrjeje të mëparshme nga Këshilli i Sigurimit për një armëpushim.
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – ndër aleatët më të ngushtë të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Në Izrael, protestuesit kanë bërë thirrje për negociata me Hamasin për të lehtësuar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi.
Ndërkohë Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua në Varshavë me kreun e agjencisë së izraelite të zbulimit Mossad dhe kryeministrin e Katarit të hënën. Mesa dihet ky është takimi i parë mes tyre që nga armëpushimi i përkohshëm dhe lirimi i rreth 100 pengjeve në një marrëveshje që ata ndihmuan ta ndërmjetësonin.
Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se bisedimet nuk ishin në pikën ku mund të flitej për një marrëveshje tjetër së afërmi.
Rreth 129 persona vazhdojnë të jenë peng i Hamasit dhe militantëve të tjerë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, të asgjësojë aftësitë e tij ushtarake dhe të lirojë të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit. Të paktën për momentin, ai duket se ka mbështetjen e plotë të SHBA-së për një fushatë që mund të zgjasë me muaj apo vite./Voa
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...