Ushtria e Izraelit i ka ripërtërirë thirrjet të hënën për evakuim masiv nga qyteti jugor i Rripit të Gazës, Kan Jounis, ku kanë kërkuar strehim dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur në javët e fundit.
Zgjerimi i ofensivës tokësore dhe bombardimeve, pas skadimit të një armëpushimi njëjavor, kanë për qëllim shkatërrimin e sunduesit të Gazës, Hamasit, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pas sulmit të tij në Izrael më 7 tetor, i cili e nxiti dhunën më vdekjeprurëse izraelito-palestineze në dekadat e fundit.
Kjo luftë i ka vrarë rreth 15.000 palestinezë tashmë dhe i ka zhvendosur tri të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë të këtij territori, të cilëve nuk po u mbetet ndonjë vend i sigurt për të shkuar.
Duket se Izraeli është për ngut për t’ia dhënë Hamasit goditjen përfundimtare – nëse kjo është e mundur, duke i ditur rrënjët e thella të këtij grupi në shoqërinë palestineze – para ndonjë armëpushimi të ri.
Bombardimet e kanë shndërruar shumicën e pjesës veriore të Gazës në një djerrinë të mbushur me gërmadha. Rreth 2 milionë njerëz janë zhvendosur tani në pjesën jugore të vendit, e cila ka një hapësirë prej vetëm 230 kilometrave katrorë.
Lufta e Izraelit tani është e përqendruar në jug të Gazës, prandaj ushtria e tij i përsëriti të hënën thirrjet për evakuim të madh, megjithëse nuk është e qartë se ku mund të shkojnë njerëzit tani.
Strehimoret janë të stërmbushura tashmë, ndërsa fqinjët Izraeli dhe Egjipti nuk duan të pranojnë palestinezë të Gazës në vendet e tyre.
Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë trysni Izraelit ta shmangë zhvendosjen masive të njerëzve dhe vrasjen e civilëve. Këtë mesazh e dha zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, gjatë një vizite në këtë rajon.
Ajo, po ashtu, tha se SHBA-ja nuk do të lejojë dëbimin e palestinezëve jashtë Gazës, apo në Bregun e uzurpuar Perëndimor, e as rivendosjen e kufijve të Gazës.
Megjithatë, prej sulmit të 7 tetorit, kur pjesëtarët e grupit radikal palestinez i vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael, SHBA-ja është zotuar se do ta përkrahë fuqishëm Izraelin.
Shpresat për një armëpushim tjetër të përkohshëm janë zbehur tani, pasi Izraeli i tërhoqi negociatorët e vet në fundjavë.
Gjatë armëpushimit njëjavor, Hamasi i liroi 105 prej rreth 240 izraelitëve dhe të huajve që i rrëmbeu gjatë sulmit në Izrael. Ndërkohë, në këmbim, Izraeli i liroi 240 të burgosur palestinezë. Shumica e të liruarve nga të dyja palët ishin gra dhe fëmijë./rel
Agjenda e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe...
Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet
Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përsh...
Mos e përdorni këtë fjalëkalim pasi hakerit do t’i duhet vet...
Reali do ta huazojë Endrickun, pesë klube pas yllit brazilia...
Vazhdon debati mes Edit dhe Gresa, sherr rrobat