08:55 | 24 Shkurt 2021
Arbresh.info
Izraeli ka njoftuar se do të dërgojë “sasi të kufizuara të dozave të papërdorura” të vaksinës COVID-19 te palestinezët dhe disa vende si Hondurasi dhe Guatemala, të cilat planifikojnë të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem.
Izraeli, i cili mban rekordin botëror për numrin e qytetarëve të vaksinuar, tashmë ka injektuar dy doza të Pfizer7BioNTeah te tre milionë njerëz, gati një e treta e popullsisë.
Më 19 dhjetor, Izraeli nisi një fushatë të gjerë dhe të shpejtë vaksinimi pas një marrëveshje me Pfizerin që e lejon Izraelin të japë miliona doza në këmbim të të dhënave biomjekësore mbi efektin e vaksinës, raporton jerusalempost.
Por “me një sasi të kufizuar vaksine të papërdorur të mbledhur në muajin e fundit”, Izraeli ka vendosur të ndihmojë stafin mjekësor të Autoritetit Palestinez dhe disa vendeve dhe t’u dërgojë atyre një sasi simbolike të vaksinave, shtoi deklarata.
Izraeli tashmë ka dërguar mijëra doza vaksinash në Bregun Perëndimor të okupuar për personelin mjekësor palestinez në javët e fundit.
Sipas Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-ve, Izraeli është i detyruar “si një fuqi okupuese” të sigurojë një vaksinë për 2.8 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar dhe për dy milionë banorët e Rripit të Gazës, e cila është nën bllokadën e Izraelit./arbresh.info/