Një sulm izraelit në jug të Gazës ka vrarë 71 persona të shtunën, më 13 korrik, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë, duke shtuar se dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Ndërkaq, një zyrtar izraelit tha se ushtria ka shënjestruar kreun e krahut ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Zyrtari izraelit tha se shënjestër e sulmit në Han Junis ishte Mohammed Deif, që shumë besojnë se është arkitekti i sulmit që Hamasi kreu më 7 tetor në Izrael, kur u vranë afër 1.200 persona. Ky sulm nxiti luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
Deif për vite të tëra ka qenë në krye të listës së personave më të kërkuar nga Izraeli dhe besohet se u ka ikur disa tentim-vrasjeve nga Izraeli në të kaluarën.
Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti, tha se Rafa Salama, një tjetër zyrtar i lartë i Hamasit, është shënjestruar në sulm. Zyrtari, megjithatë, nuk dha detaje nëse këta dy zyrtarë të lartë të Hamasit janë vrarë.
Ndërkaq, në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë u tha se të paktën 289 persona janë plagosur dhe shumica e 71 të vrarëve dhe të plagosurve u dërguan në spitalen Nasser.
Është ende e paqartë nëse sulmi u krye brenda Muvasi, që Izraeli e ka shpallur zonë humanitare, që gjendet nga veriu i Rafahut deri në Han Junis.
Sulmi i fundit vdekjeprurës vjen në kohën kur ndërmjetësit nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti po tentojnë të zvogëlojnë dallimet mes Izraelit dhe Hamasit sa i përket një armëpushimi të propozuar, që parasheh lirimin e pengjeve që gjenden në Gazë. Vrasja apo plagosja e ndonjë zyrtari të lartë të Hamasit mund të dëmtojë bisedimet.
Izraeli nisi ofensivën e tij në Gazë pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit, kur në jug të Izraelit u vranë afër 1.200 persona dhe u plagosën afër 250 të tjerë.
Që atëherë, si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 38.300 persona dhe janë plagosur mbi 88.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. /rel
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...