Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se tetë ushtarë të saj u vranë në luftimet me Hezbollahun në jug të Libanit një ditë pasi filloi, atë që ka cilësuar operacion tokësor “të kufizuar” për të shkatërruar infrastrukturën militante atje.
“Ne jemi në mes të një lufte të ashpër kundër boshtit të së keqes të Iranit që po kërkon të na shkatërrojë”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një video-mesazh duke dhënë ngushëllimet e tij.
“Me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë së bashku. Ne do t’i kthejmë pengjet tanë në jug. Ne do t’i kthejmë banorët tanë në veri. Ne do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit”, tha ai.
Gjatë natës, forcat ajrore izraelite kryen sulme të reja në bastionet e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit.
Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se të paktën 55 vetë u vranë dhe 156 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit. Ministria nuk bën dallim mes militantëve dhe civilëve në këtë bilanc.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit me 180 raketa balistike ka shtuar frikën për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, ndërsa të dyja vendet lëshuan paralajmërime ndaj njëri-tjetrit.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian tha të mërkurën se vendi i tij do të përgjigjet edhe më me forcë, nëse Izraeli vazhdon fushatën në Liban.
Shtetet e Bashkuara, që kishin njoftuar Izraelin për sulmin e pritshëm, gjithashtu e dënuan goditjen e Iranit.
Izraeli nuk ka dhënë shenja se do të ndalë veprimet e tij në Liban.
Mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbajti të mërkurën një takim urgjent për të diskutuar situatën në përkeqësim.
“Luftimet në Lindjen e Mesme po kthehen me shpejtësi një ferr”, i tha Këshillit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
Anëtarët e Këshillit shprehën shqetësimin për sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit dhe dërgimin e trupave të Izraelit në Libanin jugor të martën dhe paralajmëruan se një përshkallëzim i mëtejshëm nuk do të tolerohej.
“Situata në Liban është serioze”, tha ambasadori francez Nicolas de Riviere. “Operacionet ushtarake po intensifikohen, ushtria izraelite ka kryer inkursione tokësore duke shkelur sovranitetin libanez dhe Hezbollahu po vazhdon sulmet e tij kundër Izraelit”.
Ai tha se Franca është kundër çdo operacioni tokësor izraelit në Liban.
I dërguari i Izraelit hodhi poshtë thirrjet e Këshillit për ulje të tensioneve.
“Irani duhet të paguajë një çmim të rëndë për këtë sulm”, tha Danny Danon lidhur me sulmin me raketa të Iranit.
I dërguari i Libanit tha se pretendimet e Izraelit se sulmi ushtarak në Liban është i kufizuar janë të rreme. “Dëmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të mëdha”, tha Hadi Haçem para këshillit.
Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield, tha se sulmi Iranit “nuk ishte në asnjë mënyrë për mbrojtje” dhe u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të vendosin sanksione Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, IRGC, për mbështetje të terrorizmit.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim se mbështetja iraniane për grupet e lidhura me të në rajon ka kontribuar drejtpërdrejt në krizat në Gazë dhe Liban”, tha Linda Thomas-Greenfield.
Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera.
Korrespodentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara dhe gazetarja Natasha Mozgovaya ndihmuan në shkrimin e këtij lajmi./voa
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?