Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të mërkurën se sulmi i Izraelit kundër Iranit do të jetë “vdekjeprurës, i saktë dhe befasues”.
Ai i bëri këto komente teksa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bisedoi të mërkurën përmes telefonit me presidentin amerikan, Joe Biden.
Biseda telefonike, e konfirmuar nga të dy shtetet, ishte e para mes Bidenit dhe Netanyahut prej muajit gusht dhe përkon me përshkallëzimin e madh të konfliktit të Izraelit me Iranin dhe me Hezbollahun, grupin libanez të mbështetur nga Irani.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Lindja e Mesme është në teh pasi Izraeli është zotuar se do të përgjigjet ndaj Iranit për sulmin raketor që Teherani e kreu ndaj tij në shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake të Izraelit në Liban.
Raportohet se sulmi iranian nuk shkaktoi viktima në Izrael dhe Uashingtoni e quajti të paefektshëm.
Pasi e cilësoi si të dështuar sulmin raketor nga Iranit më 1 tetor, Gallant tha të mërkurën në një video të lëshuar nga zyra e tij: “Kushdo që na sulmon, do të lëndohet dhe do ta paguajë shtrenjtë. Sulmi ynë do të jetë vdekjeprurës, i saktë dhe mbi të gjitha, befasues. Ata nuk do ta kuptojnë se çfarë ndodhi dhe si ndodhi, ata do t’i shohin pasojat”.
Netanyahu është zotuar se armiku i tij i përbetuar, Irani, do ta paguajë shtrenjtë për sulmin raketor, ndërsa Teherani ka thënë se do të përgjigjet ashpër për çdo hakmarrje nga Izraeli, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Marrëdhëniet midis Bidenit dhe Netanyahut kanë qenë të tensionuara, për shkak të mënyrës se si lideri izraelit e ka menaxhuar luftën në Gazë dhe konfliktin me Hezbollahun.
Gallant anuloi një vizitë të mërkurën në Pentagon, tha Pentagoni. Gallant tha në një deklaratë se e kishte shtyrë vizitën me kërkesë të Netanyahut deri pas bisedës së kryeministrit me Bidenin.
Irani i hodhi qindra raketat drejt Izraelit më 1 tetor, duke e përshkallëzuar konfliktin midis dy vendeve. Izraeli ka kohë që po mendon se si të përgjigjet ndaj sulmit iranian, të cilin Shtetet e Bashkuara e ndihmuan ta ndalojë./rel
10 orë ulur dëmtojnë zemrën edhe nëse merreni me aktivitete ...
Galaxy S25 Slim mund të vijë me një përmirësim të kamerës
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...