Agjencia izraelite e zbulimit Mossad tha sot se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë, pavarësisht zbehjes së shpresave për një armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Drejtuesi i agjencisë izraelite të zbulimit Mossad, David Barnea u takua me homologun e tij, drejtuesin e CIA-s, William Burns të premten për të nxitur një marrëveshje që do të bënte të mundur lirimin e pengjeve, njoftoi agjencia Mossad në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Kontaktet dhe bashkëpunimi me ndërmjetësuesit vazhdojnë gjatë gjithë kohës në përpjekje për të përafruar qëndrimet dhe për të arritur një marrëveshje”, tha agjencia Mossad.
Izraeli dhe grupi militant islamik Hamas kanë fajësuar njëri tjetrin për bllokimin e bisedimeve në prag të Ramazanit, i cili fillon në 10 mars.
Një burim i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se delegacioni i grupit “nuk ka të ngjarë” të kthehet në Kajro gjatë fundjavës për bisedime.
Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë ndërmjetësuar negociatat për armëpushimin që nga muaji janar. Marrëveshja e fundit çoi në një ndërprerje njëjavore të luftimeve në nëntor, gjatë së cilës Hamasi liroi mbi 100 pengje dhe Izraeli liroi të burgosur palestinezë.
Sulmi në Rafah
Dhjetëra familje në qytetin jugor Rafah, në Rripin e Gazës, mbetën të pastrehë të shtunën pasi forcat izraelite goditën një nga ndërtesat më të mëdha të banimit atje, duke deklaruar se godina përdoret nga Hamasi për të planifikuar sulme ndaj Izraelit.
Nuk ka njoftime për viktima.
Sulmi i fundit i Izraelit shton trysninë ndaj territorit të fundit të rajonit që nuk ka qenë objektiv i operacioneve të deritanishme, ku janë strehuar mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur.
Ndihma përmes korridorit humanitar Qipro-Gazë
Në portin Larnaka në Qipro, u ngarkua sot anija me ndihma humanitare për Gazën, në atë që pritet të jetë dërgesa e parë përmes një korridori detar mes Qipros e Gazës.
Anija “Open Arms”, e një organizate bamirëse spanjolle, që është ngarkuar me paketa ushqimore me oriz, miell dhe ushqime të tjera parashikohet të niset nga Qipro të shtunën drejt Gazës në kuadër të përpjekjeve për të ndihmuar popullatën që gjendet në prag të urisë.
Ndërkohë edhe sot vazhdoi dërgimi i ndihmave humanitare përmes rrugëve ajrore në Gazë. Ushtria jordaneze lëshoi pako me ndihma humanitare në Rripin e Gazës, në bashkëpunim me vende të tjera, Egjiptin, Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Belgjikën.
Kombet e Bashkuara thonë se 2.3 milionë banorët e Gazës janë duke u përpjekur për të gjetur ushqim dhe mbi 500,000 përballen me uri.
Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 30 mijë palestinezë./voa
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...