Izraeli miraton planin e shpenzimeve për pakicën arabe

21:54 | 25 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Qeveria e Izraelit miratoi planet për të shpenzuar miliarda dollarë për të përmirësuar kushtet për pakicën e saj arabe, e cila prej kohësh ankohet se ndjehet e margjinalizuar.

Qeveria tha se do të ndajë fonde për të ndihmuar disa sektorë, përfshirë strehimin, arsimin dhe punësimin, gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.

Ministrat gjithashtu miratuan planin për të shpenzuar gati 1 miliard dollarë për trajtimin e normave të larta të krimit në zonat arabe të Izraelit.

Arabët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë prej 9.3 milionë banorësh të Izraelit.

Udhëheqësi i partisë islamike arabe Raam, e cila është në koalicionin qeverisës, i mirëpriti planet e reja.

Megjithatë, Mansour Abbas tha se ato “nuk do t’i fshijnë vitet e neglizhencës”.

Arabët e Izraelit shpesh pretendojnë se komunitetet e tyre marrin më pak fonde nga Qeveria, sesa komunitetet hebraike.

Muaj më parë, tensionet midis dy komuniteteve janë rritur në disa pjesë të Izraelit.

Ato kanë kulmuar me një luftë 11-ditëshe midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Arabët izraelitë janë trashëgimtarë të palestinezëve që janë bërë qytetarë izraelitë pas krijimit të shtetit më 1948-49.

Shumë nga ta vetidentifikohen ende si palestinezë ose shprehin solidaritet me ata që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Gaza – territore këto të pushtuara nga Izraeli./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme