Izraeli kryen sulme ajrore në jug të Libanit

15:41 | 8 Gusht 2024
KRG

Ushtria izraelite njoftoi sot se kreu sulme ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në disa zona të jug të Libanit.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Libanit tha se një nga sulmet në qytetin Doueir shkatërroi një shtëpi, por nuk ka njoftime për viktima.

Ushtria izraelite tha gjithashtu të enjten se kreu sulme në zonën e Rafahut në jug të Rripit të Gazës, ku prej muajsh të tërë po lufton me militantët e Hamasit. Avionët luftarakë izraelitë shkatërruan gjithashtu një objektiv të militantëve në veri të Gazës, tha ushtria.

Organizata humanitare World Central Kitchen tha të enjten se një punonjës palestinez i saj u vra në Gazën qendrore. Organizata tha se po kërkonte hollësi mbi vdekjen e Nadi Sallout dhe se besonte se ai nuk ishte në detyrë kur ndodhi ngjarja.

Ushtria izraelite tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë incidenti ku të kete patur dëmtim të ndonjë punonjësi të organizatës përgjatë ditëve të fundit.

Sulmet ajrore izraelite në prill goditën tre automjete të organizatës World Central Kitchen, duke vrarë shtatë persona. Izraeli tha se sulmi nuk kishte si qëllim punonjësit e ndihmave.

Sulmet e fundit ndodhin mes shqetësimit për një zgjerim të konfliktit në rajon pas vrasjes nga Izraeli të një komandantit të Hezbollahut në Bejrut dhe sulmit në Teheran ku mbeti i vrarë udhëheqësi politik i Hamasit.

Hezbollahu është zotuar për kundërpërgjigje, ndërsa Izraeli është zotuar të eliminojë udhëheqësin e ri të Hamasit Yahya Sinwar.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmin terrorist të 7 tetorit ku u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje,

Kundërofensiva e Izraelit ka vrarë afro 40 mijë njerëz në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, ndërsa Izraeli thotë se bilanci përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit të cilët janë vrarë.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme