Izraeli kërkon “sovranitet” në zonën C të Bregut Perëndimor të Palestinës

18:34 | 21 Janar 2020
Arbresh Info

Bennet në një deklaratë gjatë vizitës në njësitë e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor tha se “Do të sigurojmë sovranitetin tonë në rajonin C të Bregut Perëndimor”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Naftali Bennett përsëriti qëllimin e tij për t‘i aneksuar Izraelit zonën C të Bregut Perëndimor.

Sipas lajmit në faqen e internetit të gazetës “Jerusalem Post” thuhet se Bennet në një deklaratë gjatë vizitës në njësitë e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor ka thënë se “Do të sigurojmë sovranitetin tonë në rajonin C të Bregut Perëndimor. Po luftojmë për territorin e Izraelit”.

– Zona C

Në kuadër të “Marrëveshjes së dytë të Oslos” e cila u nënshkrua mes Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë. Zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës ndërsa në atë të sigurisë Izraelit. Kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë.

Burimet lokale theksojnë se vetëm vitin e kaluar 521 shtëpi të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën okupim janë shembur nga forcat izraelite me arsyetimin se janë “pa leje” ose se janë ndërtuar në “Zonën C”./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme